“Monstra”, dëshmitari i mbrojtur njohu disa nga të akuzuarit

Dëshmitari i mbrojtur në seancën e sotme në rastin “Monstra” tha se mbetet në rrëfimin e dhënë në procedurën paraprake.

Dëshmitari tha se tre-katër ditë para ngjarjes ka parë katër persona me “golf 3” të zi me xhama të errët në vendin e ngjarjes. Ai theksoi se ka qenë një person zeshkan i gjatë, njëri ka pasur shenjë plage në anën e majtë, tjetri ka qenë pa flokë, njëri rreth të 50-tave, ndërsa tjetri i moshës 35-36 vjeçare.

I pyetur se si sillej, ai tha “normalisht, si gjithë të tjerët”. Për herë të fundit i ka parë më 12 prill.

Prokurorja Fetai i tha se ka dallim në rrëfimet në raport me kohërat e dhëna paraprakisht dhe tani, ndaj çka dëshmitari u përgjigj se ka kaluar shumë kohë dhe se nuk i kujtohet mirë.

Dëshmitari i mbrojtur tha se ka bërë njohjen në prokurori, ku i janë treguar fotografi, pa presione dhe kërcënime.

Fetai kërkoi nga dëshmitari të thotë nëse ka njohur ndonjërin nga ata që i ka parë në vendin e ngjarjes tani të jenë të pranishëm në gjykatë. Njohu disa dhe i përshkruajti, pas çka prokurorja Fetai i ceki Agim Ismailloviqin dhe Samir Lutën.

Fetai kërkoi që Samir Luta të ngritet, ndaj çka dëshmitari tha se është 100 për qind i sigurtë se ai është personi me shenjë plage. I pyetur nga cila largësi i ka parë këta persona, tha se çdoherë ndryshe dhe se i ka parë prej pesë metrave deri një metër afërsi.