Mogherini raporton për të arriturat në bisedimet Maqedoni-Greqi


Ministrat e punëve të jashtme të BE-së nesër do të takohen për këshillin e rregullt ministror, disa javë para Samitit të qershorit në të cilin liderët evropianë duhet të vendosin për rekomandimin e Komisionit Evropian për fillim të bisedimeve me Maqedoninë dhe Shqipërinë.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogerini, do t’i brifojë ministrat e 28-të vendeve anëtare për procesin e negociatave, ndërsa dy ministrat e punëve të jashtme të Maqedonisë dhe Greqisë duhet të vazhdojnë të bisedojnë në Bruksel, pas raundit të Nju-Jorkut.

Nga MPJ-ja paralajmëruan se ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov nesër udhëton për vizitë dyditore pune në Bruksel.

Do të jenë sërish dy ministrat e Jashtëm që do përpiqen të bien dakord, ndërsa të dy palët këmbëngulin në qëndrimet respektive, që i shprehën edhe gjatë bisedimeve të Nju Jorkut, fundjavën e kaluar. Pas dështimit të radhës, sipas analistëve grekë, janë tre emrat që kanë mbetur mbi tavolinë. Nova, Gorna dhe Severna Maqedonia, përkatësisht “Maqedonia e Re”, “Maqedonia e Epërme” dhe “Maqedonia veriore”.

Athina, që ka refuzuar propozimin për Republika e Maqedonisë së Ilindenit dhe “Republika e Maqedonisë (Shkup)”, do të preferonte që emri i shtetit të shoqërohej nga mbiemri e Epërme ose veriore. Por Shkupi, refuzon gjithë formulat e tjera dhe pranon si zgjidhje vetëm referimin ndaj Ilindenit; qëndrim që e përsëriti edhe në bisedimet e Nju Jorkut. Në dy kryeqytetet Shkup dhe Athinë po bëhet një presion i madh, sidomos nga Uashingtoni dhe Berlini, ndërsa në disa qytete të Greqisë është paralajmëruar protesta më 6 qershor.

Mesazhi që do të dërgojnë protestuesit është të kujtojnë qeveritarët se populli grek është kundër çdo lëshimi për emrin e Maqedonisë. Protesta më herët, gjegjësisht më 2 qershor ka paralajmëruar edhe opozita në Maqedoni, ku mes tjerash do të protestojnë edhe për çështjen e emrit./lajm