Mogherini edhe njëherë u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së që të hapin bisedimet me Maqedoninë


Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini një ditë para mbledhjes kyçe të Ministrave të bashkimit Evropian ku duhet të shqyrtohet mundësia për fillimin e bisedimeve të Maqedonisë për anëtarësim, edhe njëherë u ka bërë thirrje vendeve anëtare të BE-së që të shpërblejnë përparimin e Maqedonisë në këtë drejtim, informon MEDIAL.

“E dini se tashmë kemi dhënë rekomandim për hapje të bisedimeve me Shkupin dhe Tiranën, ky proces patjetër se duhet të mbështetet në të arriturat e këtyre vendeve, që d.m.th se ku shënohet përparim ai patjetër të pranohet dhe t’i jepet kurajë. Shpresojë se vendet anëtare të BE-së do të marrin vendimin e duhur”, ka thënë përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini gjithashtu ka thënë se në Ballkanin Perëndimor përparimi është impresiv, duke përmendur këtu edhe nënshkrimin e Marrëveshjes për emrin me Greqinë si dhe përparimin e dialogut me Prishtinës dhe Beogradit.