Mogerini: BE-ja është e interesuar për pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor


Bashkimi Evropian është i interesuar që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e familjes evropiane, deklaroi përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini.

“Unë nuk mendoj se Bashkimi Evropian do të ketë 27 vende anëtare në të ardhmen, por mendoj se numri i tyre do të jetë më i madh”, tha Mogerini në një intervistë për televizionin Euronjuz.

Ajo theksoi se pret që deri në fund të mandatit të tanishëm të Komisionit Evropian pas dy vjetësh, BE do të bëjë përparim në marrëdhëniet me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Progres i cili nuk do të vihet në dyshim. Unë me të vërtetë e besoj këtë”, tha Mogerini.

Sipas saj, interesi i Brukselit për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE është i lidhur me arsye të sigurisë dhe arsye ekonomike.

“Natyrisht, fillimisht të gjitha reformat e nevojshme duhet të zbatohen. Në shoqëritë dhe në institucionet politike duhet që të bëhen ndryshime të mëdha. Liderët politikë dhe qytetarët në rajon janë të përgatitur për këtë”, tha Mogerini në intervistë.