Mijallkov-Janakievskit për zgjedhjet e vitit 2013: Shqiptarët i kam shtrënguar fort


Bisedat e përgjuara telefonike gjatë muajit mars të vitit 2013, shfaqin në tërësi planin e detajuar të VMRO DPMNE së për të fituar zgjedhjet lokale e sidomos në Qendër ku siç thotë Mile Janakievski, ka patur luftë të vërtetë. Në një bisedë të përgjuar telefonike që e publikoi PSP-ja në gjykimin për rastin Titanik, dëgjohen marrëveshjet e ish shefit të DSK-së Sasho Mijallkov me partitë shqiptare, BDI dhe PDSH. Politikanët shqiptar kanë ofruar ndihmë për fitoren e kandidatit të VMRO DPMNE-së gjatë zgjedhjeve lokale në vitin 2013 në Qendër. Roli i BDI-së dhe PDSH-së ka qenë që ata të sigurojnë së bashku 800 vota, prej gjithësej 15 mijë sa planifikonte të sigurojë VMRO-ja.

Në një prej telefonatave të ish drejtorit të DSK së Sasho Mijallkov me ish ministrin e  Transportit Mile Janakievski, Mijallkov thotë se BDI edhe PDSH do sigurojnë njerëz që do të lobojnë dhe dërgojnë me makinë çdo familje që do të votojë për Vlladimir Todoroviçin e VMRO-së.

SASHO MIJALLKOV, ISH DREJTOR I DSK-SË (I AKUZUAR)

Shqiptarët i kam shtrënguar fort. Thaçi do më japë sigurt njerëz . Me këta të BDI së edhe pak do shoh. Aktivistë do të shkojnë të dërgojnë njerëz me makina në vendvotim. Jemi marrë vesh me Ademin dhe Thaçin. Operuesit tanë së bashku do të shkojnë në terren, derë më derëE njëjta skemë është dakorduar edhe me Thaçin. Secili do na sigurojë nga 400 votues”.

Kryeorganizatori i skemës së mbledhjes së votuesve është ish ministri i Transportit Mile Janakievski, i cili pretendon të arrijë të nxjerrë 15 mijë votues që do të votojnë për kandidatin e VMRO së. Ish ministri i informatikës Ivo Ivanovski së bashku me zëvendësen e tij Marta Arsovska Tomovska, i kanë siguruar të dhënat e detajuara për çdo të punësuar në sektorin publik dhe shtetëror, ndërsa sekretari i përgjithshëm i VMRO-së, Igor Janushev, i cili e ka drejtuar qendrën analitike të VMRO-së,  e ka mbajtur evidencën për çdo listë shtesë së votuesve. Listë votuesish VMRO-së i kishte dorëzuar edhe ish drejtori i Telekomit Zharko Llukovski. Sipas bisedave të përgjuara që u lëshuan në sallë, ai ka dorëzuar listë prej 2 mijë votuesve për Qendër.

Mile Janakievski jo vetëm që kërkon listë të të punësuarve nga shteti, por shkon deri aty sa të kërkojë edhe emrat e personave që u janë dhënë grante 3 mijë eurosh për nisjen e biznesve të vogla për ti detyruar që të votojnë. Janakievski angazhon njerëz edhe për trysni ndaj arsimtarëve dhe profesorëve.

MILE JANAKIEVSKI, ISH MINISTËR I TRANSPORTIT (I AKUZUAR)

“Po bëjmë listë prej 15 mijë personash që do të votojnë për kandidatin e VMRO së. Të gjithë ne duhet të japim kontribut. Bëj presion sa mundesh. E di se sa e kemi me rëndësi Qendrën”

Disa kompani të mëdha poashtu dëgjohet t’i kenë dhënë VMRO-së lista të votuesve. Mes tyre është edhe Telekomi i Maqedonisë. Ish drejtori i saj Zharko Llukovski i ka dorëzuar VMRO-së një listë prej 2 mijë votuesish, të punësuar në Telekom. Janakievski madje ka insistuar që disa të punësuar në Komunën Qendër, të vjedhin listat e votuesve që nuk kanë dalë në rrethin e parë të votimit, që t’u bëjnë trysni për të dalë në rrethin e dytë. Edhe pse e paralajmërojnë se kjo paraqet vepër penale, ai insiston që të merren.

Ish ministrja e Brendshme nga ana tjetër, është interesuar për votimin në Kumanovë. Ish drejtori i Byrosë për Siguri Publike Goranço Savevski dëgjohet t’i raportojë Jankullovskës se çfarë ka vërejtur nëpër Kumanovë gjatë ndjekjes së ish kryetarit të Kumanovës Zoran Damjanovski. Ndjekja ka shkuar deri aty sa operuesit e Savevskit në terren, kanë lexuar nga buzët e personave që janë takuar me Damjanovskin, ose që të paktën janë dëgjuar të flasin diçka mirë për Damjanovskin. Por ka ndodhur edhe që të përgjohen disa qytetarë të Kumanovës që janë parë ose dyshuar se e përkrahin ish kryetarin nga radhët e LSDM-së./SHENJA