Mickoski tregon se nuk dallon nga Gruevski shfaq fytyrën e vërtetë anti-shqiptare


Edhe pse shqiptarët përbëjnë më shumë se 25 për qind të popullsisë së Maqedonisë, kreu i partisë opozitare VMRO-DPMNE thotë se “Maqedonia u takon maqedonasve”.

Mes kundërshtimeve të politikave të qeverisë së Kryeministrit Zoran Zaev, kreu i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se “qytetarët shqiptarë nuk kanë nevojë për ligj antikushtetues për gjuhët, por vendit dhe qytetarëve të tjerë u duhet zhvillim ekonomik”.

Ligji i gjuhëve, i cili fuqizon përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni (gjuhës së një etnie që përbën më shumë se 20 për qind të popullsisë), kusht i kërkuar që në vitin 2001 në Marrëveshjen e Ohrit që i dha fund luftës civile, quhet ende antikushtetues nga konservatorët maqedonas.

“Nuk pranojmë të ndryshojmë Kushtetutën. Ne nuk frikësohemi nga tradhtarët. Nuk pranojmë të luhet me dinjitetin tonë. Ne si VMRO do të mbrojmë atdheun. Maqedonia ka nevojë për politikanë të rinj, me vizion dhe qëllim ku duan të arrijnë. Kjo Qeveri duhet të bjerë. Duhet të mbisundojnë principet, vlerat dhe punët e mbara”, ka deklaruar me patos Mickoski. Sipas tij, Zaev i ka mashtruar qytetarët pasi “premtuan rritje për 10 për qind, por nuk e rritën as 1 për qind. Nuk ka asnjë investim të ri. NATO dhe BE janë premtime që i përmend pa pushim… Po na kërcënojnë dhe na përndjekin të gjithëve”, ka deklaruar Mickoski.

Zhurma që po bëjnë ata në këtë periudhë, përkon me dënimin nga gjykata të ishliderit të tyre dhe ish-Kryeministrit, Nikola Gruesvski, një figurë drejtuese për konservatorët. Gruesvski u dënua më parë nga një gjykatë në Shkup me 2 vite heqje lirie për rastin “Tanku”, një rast korrupsioni që ka bërë bujë në vend, por që ai e quajti një vendim politik. Ndërkohë është në pritje të katër gjykimeve të tjera.