Miçell i shkruan Mickovskit: Jemi të dëshpruar nga ju!


Shkruan: A. Wess Mitchell-Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë

I nderuari Hristijan,

Siç kemi diskutuar, Shtetet e Bashkuara besojnë fuqimisht se Marrëveshja e Prespës mes Maqedonisë dhe Greqisë është një mundësi historike që Maqedonia të sigurojë një ardhmëri më të ndritshme dhe të kontribuojë në sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin rajonal. Përkundër pohimeve se ka mundur të arrihet “një marrëveshje më e mirë”, ne nuk besojmë që një gjë e tillë është e mundur. Kjo marrëveshje ka kërkuar kompromisin e të dyja palëve. Është një mundësi që me gjasë nuk të vijë përsëri për vite të tëra, nëse jo edhe dekada.

Nuk do t’ju befasojë fakti që ne kemi qenë të dëshpëruar nga pozitat e udhëheqësisë së VMRO-DPMNE-së në lidhje me referendumin dhe me hapat në Kuvend në lidhje me ndryshimet në kushtetutë. Qytetarët e Maqedonisë nga të gjitha komunitetet dhe partitë, duke përfshirë edhe tuajën, fuqimisht mbështesin anëtarësimin në NATO dhe në BE, dhe kështu ka qenë që nga pavarësimi i vendit. Tani është në duart e Kuvendit që të ndërmerr hapin e ardhshëm dhe vendimmarrës. Ju nxisim që të krijoni hapësirë, publikisht dhe privatisht, për deputetët e koalicionit tuaj që ata të vendosin si do të votojnë mbi ndryshimet kushtetuese, të lirë nga kërcënimet me dhunë, ndëshkim dhe forma të tjera të detyrimit.

Ky është moment me rëndësi historike për vendin tuaj, moment që kërkon udhëheqësi të guximshme dhe pjekuri. Si mik i vërtetë dhe mbështetës i Maqedonisë, ju nxisim që të lini anash interesat partiake dhe të shpini përpara interesat tona të përbashkëta strategjike dhe të siguroni një ardhmëri më të ndritshme për qytetarët tuaj në familjen Evropiane.

Me respekt,

A. Wess Mitchell