“Messi nuk është Maradona. Nuk e fiton dot i vetëm Botërorin”


Ish-futbollisti i kombëtares argjentinase, me të cilën ka luajtur në 3 Botërorë, Hernan Crespo ka deklaruar pas barazimit zhgënjyes të bardhekaltërve me Islandën se “Messi nuk është Maradona”.

“Messi nuk është Maradona. Nuk e fiton dot i vetëm Botërorin. Këtë gjë duhet ta kuptojnë të gjithë tifozët dhe shokët e tij të skuadrës. Ai është fenomen nëse e vendos në kushtet e duhura, siç bëjnë te Barcelona. Përndryshe, e ka të vështirë”, deklaroi Crespo në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”.

Për ta shpjeguar më mirë mendimin e tij, Hernan Crespo tha: “Messi mund të driblojë një ose dy kundërshtarë. Diego u iku 5 anglezëve. A e kuptoni diferencën?”.

Ish-sulmuesi shtoi në mbrojtje të Messit: “Kush e ndihmoi Messin ndaj Islandës? Di Maria nuk dribloi kurrë kundërshtarin, mesfushorët nuk ndihmuan. Argjentina nuk luan si skuadër, por pret që Messi të shpikë diçka. Nuk mund ta lësh përgjegjësinë e çdo aksioni te një lojtar i vetëm”.

Në fund, Crespo bëri edhe një krahasim me Cristiano Ronaldon: “CR7 luan vetëm, vrapon, ka fizik, godet dhe shënon. Messi, për të qenë Messi, ka nevojë për ekipin”.

Top Channel