Merkel: Gjermanisë i duhet sa më shpejt të bëhet me qeveri stabile


Kancelarja gjermane Angela Merkel sot deklaroi se vendit i nevojitet sa më shpejt të bëhet me qeveri stabile, që të mund të punojë në reformimin e BE-së dhe të përgjigjet në ngjarjet e paqarta politike në fqinjësi.

Merkeli paralajmëroi se do të takohet me udhëheqësinë e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), e cila të premten e ndryshoi qëndrimin dhe la mundësi të hapur për koalicion me koalicionin konservator të Unionit kristian-demokratik dhe Unionin kristian-social (CDU-CSU) të Merkelit.

Pas zgjedhjeve në muajin shtator, në të cilat socialdemokratët e realizuan rezultatin e tyre më të dobët zgjedhor pas Luftës së Dytë Botërore, lideri i partisë, Martin Shulc, paralajmëroi se partia do t’i japë fund koalicionit të madh të deritanishëm me CDU-në dhe do të kalojë në opozitë, por pas mossuksesit të Merkelit për të formuar Qeveri me Partinë e lirë demokrate liberale (FDP) dhe me Të gjelbrit, SPD-ja e ndryshoi qëndrimin e vet.

Udhëheqësia e CDU-së mbrëmë vonë solli vendim që të vazhdojë me tentimet për formimin e “qeverisë së koalicionit të madh” me SPD-në, duke konkluduar se koalicioni me socialdemokratët është zgjidhja më e mirë për dalje nga qorrsokaku në të cilin ka hyrë Gjermania.

“Jemi të vendosur në qëndrimin që të kemi qeveri efikase. Ne fuqishëm besojmë se një zgjidhje e tillë nuk është qeveri e pakicës, por koalicion që do të ketë shumicë parlamentare”, deklaroi pas takimit njëri prej liderëve të CDU-së dhe kryeministër i krahinës Shlezvik-Holshtajn, Daniel Ginter.

Koalicionin eventual të ri të madh me SPD-në paraprakisht e mbështet edhe lideri i CSU-së, Horst Zehofer.

“Koalicioni i konservatorëve dhe SPD-së është opsioni më i mirë për Gjermaninë. Ajo për çdo rast është më e mirë se koalicioni me FDP-në dhe Të gjelbrit, zgjedhjeve të reja ose qeverive të pakicës”, deklaroi Zehofer për “Bild”.

Sipas sondazhit të agjencisë “Emnid”, rezultatet e të cilit janë publikuar sot, madje 52 për qind e gjermanëve mbështesin formimin e koalicionit të ri.