Menduh Thaçi: Të gjithë të përkrahim Hashim Thaçin


Lideri i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, ka komentuar deklaratën e fundit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Në një intervistë për  për  KDP-në, Thaçi thotë se presidenti i Kosovës është keqkuptuar. Sipas Menduh Thaçit, Presidenti i Kosovës flet për korrigjim kufijsh, për të marrë atë që Kosovës i është lënë jashtë kufijve me pa të drejtë e në këtë finale të madhe, duhet mbështetur nga të gjithë.

Kreu i PDSH-së përkujton se në Preshevë, të drejtat e shqiptarëve shkelen në mënyrë institucionale, prandaj Presidenti Thaçi këmbëngul në këtë ide, duke përkujtuar vazhdimisht të drejtat që serbët gëzojnë në Kosovë.

“Kam një apel për të gjitha institucionet, për forcat politike në Kosovë, Shqipëri e këtu, që ta mbështesin presidentin e Kosovës në këtë finale të lojës. Këtu s’ka më kthim mbrapa. Kjo është finalja dhe ne duhet të jemi shumë të përgatitur e shumë të bashkuar në një qëndrim drejt Serbisë. Serbët vijnë ta marrin tokën, qendrën e qytetit apo të fshatit, vijnë ta marrin udhën e mëhallës, hyjnë ta marrin krejt oborin e shtëpisë, gjysmën e shtëpisë e thonë hajde bëjmë dialog tash. Ti i thua për çfarë të bëjmë dialog. E ai ta kthen: ta lë unë një dhomë në shtëpinë tënde e dhjetë metra në oborin tënd. Serbia ka marrë tokë prej shqiptarëve. Presidenti i Kosovës e përdor simbolikën me Luginën e Preshevës duke iu thënë se atë tokë ju e keni okupuar nga ne dhe se ne nuk e pranojmë filmin e vjetër që të negociojmë brenda oborit tonë” – tha Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi./TVM2