Mehmeti: Emri i ri- zgjidhje e pranueshme për të gjithë

Nesër në Vjenë, ministrat e Jashtëm të Greqisë dhe Maqedonisë do të takohen me negociatorin Metju Nimic, për të avancuar procesin e zgjidhjes së kontestit mes dy vendeve. Njohësi i rrethanave politike, Ibrahim Mehmeti, deklaron se ndryshimi i emrit kushtetues duhet të jetë zgjidhje e pranueshme për të gjitha komunitetet. Sipas tij, pala greke duhet ta kuptojë se nuk duhet të insistojë në zgjidhje që janë në favor të tyre, sepse Maqedonia ka një situatë më komplekse.

Procesi i bisedimeve për zgjidhjen e kontestit për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë, nesër do të kalojë në një tjetër nivel. Ministrat e Jashtëm të të dyja vendeve, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias, do të takohen në Vjenë me ndërmjetësuesin Metju Nimic.

Sipas analistit Ibrahim Mehmeti, takimi është shumë i domosdoshëm për Maqedoninë, në një kohë kur ky vend gjendet në një fazë të jashtëzakonshme të zgjidhjes së problemeve të brendshme dhe atyre të jashtme. Mehmeti shton se, nga ana tjetër opozita duhet të gjejë forcë t’i tejkalojë komplekset personale dhe ndërpartiake.

‘Një takim i tillë gjthsesi se është i domosdoshëm varësisht se me çfarë parapërgatitjesh do të nisen për në Vjenë bashkëbiseduesit. Shpresoj se edhe partia opozitare, do të gjejë forcë që t’i tejkalojnë këto komplekse që janë personale dhe ndërpartiake, dhe se do ta kenë një dialog konstruktiv dhe konkret në trajtimin e çështjeve dhe në arritjen e marrëveshjeve për çështjet të cilat e ngarkojnë skenën politike të vendit dhe atë ndërkombëtare. Nga ana tjetër kemi procesin e negociatave me Greqinë për tejkalimin e kontestit me emrin, që është parakushti kryesor për integrimin në NATO dhe BE.

Analisti Mehmeti poashtu shton se ndryshimi i emrit kushtetues duhet të jetë zgjidhje e pranueshme për të gjitha komunitetet. Sipas tij, pala greke duhet ta kuptojë se nuk duhet të insistojë në zgjidhje që janë në favor të saj, sepse Maqedonia ka një situatë më komplekse.

‘Ndryshimi duhet të bëhet, ajo që është me rëndësi është që zgjidhja të jetë e pranueshme dhe dinjitoze për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, jo vetëm për një komunitet, por edhe për të tjerët, dhe kjo sigurisht se pak e komplikon procesin e negociimit. por edhe pala greke duhet ta kuptojë se nuk mund të insistojë në zgjidhje të cilat do jenë në favor të njërit komunitet dhe ta kuptojë se Maqedonia ka një situatë më komplekse të brendshme dhe të ketë mirëkuptim për këtë aspekt në zgjidhjen e çështjes së emrit.’

Poashtu, i pyetur rreth deklaratës së ministrit të Jashtëm grek, Nikos Koxias, se grekët nuk duhet të tremben nga kompromisi me një vend pa identitet, Mehmeti u shpreh se toni më tepër ishte në drejtim të zbutjes së tensioneve brenda Greqisë, që të mos e zmadhojë frikën se Maqedonia, do ta rrezikojë të ardhmen e Greqisë.

/Art channel/