Mediat serbe për arrestimin e Gjuriç: Thaçi na shpalli luftë


Mediat në Serbi e kanë paraqitur ngjarjen e djeshme të arrestimit të Marko Gjuriç, si shpallje lufte nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Të gjitha mediat serbe kanë pasur si kryeartikull çështjen e arrestimit të Gjuriç, duke e cilësuar si sulm nga shqiptarët.

Gazeta “Alo”, në ballinë të numrit të sotëm, shkruan: “Dramë në veri të Kosovës: Thaçi na shpalli luftë”.

“Informer” shkruan: “Dhunë e tmerrshme shqiptare në krahinën jugore: E arrestuan Gjuriçin, paralajmërohet luftë në Kosovë”.

“Sulm nga Prishtina: Shqiptarët sulmuan në veri të Kosovës”, është titulli i “Novostit”.

E përditshmja tjetër serbe “Danas” shkruan: “Me vendimin e autoriteteve të Kosovës që të mos lejojnë hyrjen e asnjë prej ministrave përkeqësohen raportet mes Beogradit dhe Prishtinës: Rriten tensionet në Mitrovicë, arrestohet Marko Gjuriç”.

Gjuriç u arrestua dje pas orës 17 në Mitrovicë, ku po zhvillonte një tubim në kuadër të dialogut për Kosovën, iniciativë kjo e presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Atij, së bashku me një grup tjetër politikanësh serbë, u ishte refuzuar kërkesa për hyrje në Kosovë.