Mediat greke: Takim i mundshëm Cipras-Zaev, brenda janarit


Janari është muaji ku pritet zhvillim i ngjarjeve në çështjen për emrin, publikojnë mediat greke dhe këtë qëndrim e mbështesin me takimet e mundshme që do të ndodhnin gjatë periudhës së ardhshme.

Vizita e zëvendëskryeministrit Bujar Osmani në Athinë, raundi i ri i negociatave për emrin, vizita e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s në Shkup dhe takimi eventual i kryeministrave të të dy vendeve Cipras dhe Zaev në Davos janë aktivitetet e parapara për janar, sipas mediave në Greqi.

Duke iu referuar burimeve të tyre, televizionet “Skaj” dhe “Action 24”, gazetat “To Vima” dhe “Ta Nea” dhe një pjesë e portaleve informative greke, publikuan se të hënën ose të martën që vjen, zëvendëskryeministri i Maqedonisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani do të vizitojë Athinën dhe do të takohet me shefin e diplomacisë greke, Nikos Koxias dhe zëvendësin e tij, Jorgos Katrugalos.

Mediat greke, duke i ndërmarrë informacionet e publikuara në mediat e Maqedonisë dje, publikuan se për dy javë ndërmjetësuesi Methju Nimic do të mbajë raund të ri të bisedave me përfaqësuesit e dy vendeve, ndërsa më 17 dhe 18 janar në Shkup, pas tre viteve do të vijë sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Sipas informatave të pakonfirmuara në mediat greke, nëse ka përparim në bisedat dhe nëse që të dy kryeministrat, edhe Zoran Zaev edhe Aleksis Cipras shkojnë në Davos, Zvicër, në Forumin ekonomik botëror prej 23 deri 26 janar, atëherë me shumë siguri do të realizojnë edhe takim bilateral.