Mediat greke: Nacionalistët në Shkup djegin flamurin grek


Protesta e mbrëmshme në Shkup, flamuri i djegur grek, intervista e kryeministrit Zoran Zaev dhe demanti i Qeverisë, kanë qenë temat serioze në mediat greke. Ishin të pranishëm edhe në edicionet qendrore të lajmeve në televizionet greke, por edhe në onlajn edicionet e gazetave, si dhe në portalet informative.

“Protestë e nacionalistëve në Shkup – e kanë djegur flamurin grek”, “Shkupianët radikalë kërkojnë ndërprerje urgjente të negociatave në KB”, “Shkupi: radikalizëm i nacionalistëve – linjat e kuqe nga Zaevi” janë pjesë e titujve me të cilat gazetarët grekë e kanë publikuar lajmin për protestën në Shkup.

“Shumë protestues kanë pasur flamuj me diellin e Verginës, ndërsa disa prej tyre e kanë djegur flamurin grek. Mes pjesëmarrësve ishin edhe mitropolitë nga kisha përçarëse ortodokse e IRJM-së, të cilët iu drejtuan popullit”, shkruan agjencia greke e lajmeve ANA-MPA.

Në tekstin që e kanë ndërmarrë pothuaj të gjitha mediat greke, shkruan se në protestë morën pjesë rreth 5.000 persona, të cilët kërkuan të mos ketë kurrfarë ndryshimi të emrit kushtetues dhe kurrfarë ndryshimi të Kushtetues.

Intervista e djeshme e kryeministrit Zaev për Rojtersin, në mënyrë eksprese u transmetua nga mediat në Greqi, por tekstet më vonë janë plotësuar edhe me demant nga Qeveria e Maqedonisë.

“Shumë fjalë, pak vepra nga Zaev”; “Qeveria e IRJM-së demanton një pjesë të deklaratave të Zaevit për Rojtersin”; Cilat janë propozimet e Zaevit për emrin e ri të IRJM-së”, janë vetëm një pjesë e titujve në mediat greke lidhur me intervistën dhe demantin e qeverisë.

“Zoran Zaev në intervistën e tij të fundit për Rojtersin, ku pas publikimit, nga kabineti i tij shpejtuan t’i sqarojnë pikat të cilat, siç thanë, nuk janë transmetuar saktësisht, sqaroi se e vetmja gjë që e pranon është emri i përbërë me përcaktim gjeografik, përveç kësaj, asgjë tjetër. As nuk bisedon për ndryshim të Kushtetutës, duke përgatitur terren për formulë të dyfishtë, as bisedon për çfarëdo qoftë, që e prek identitetin e popullit të vendit të tij”, shkruan CNN.gr.

“Qeveria e IRJM-së kategorikisht demantoi se kryeministri i vendit, Zoran Zaev, në intervistën e tij për Rojters, tha se IRJM është e gatshme të bëjë ndonjë ndryshim në Kushtetutë. Kryeministri, siç u sqarua, ka folur për ndonjë ndryshim të emrit, e jo të Kushtetutës”, publikoi agjencia greke e lajmeve.