Media greke polemizon për deklaratat e kryeministrit Zaev


Mediat greke sot theksin e teksteve e vendosin në deklaratën e kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, të dhënë mbrëmë në Tikveshi, për atë se në bisedat e deritanishme për emrin janë harmonizuar tre nga shtatë pikat.

“Tre nga shtatë temat në bisedat për emrin, veçmë janë mbyllur”, Zaev: Pranojmë përcaktim gjeografik, por jo edhe kohor”. “Në gjysmë të rrugës negociatat për emrin e IRJM-së”, “Zaev zbuloi: Janë mbyllur tre nga shtatë çështjet e hapura”; Zaev për emrin: Nuk nevojitet revizion i Kushtetutës, kemi mbyllur tre nga shtatë çështje”; Zaev: Dinjiteti dhe identiteti elemente të pandara në negociatat me Greqinë”, janë vetëm pjesë e titujve në mediat greke, lidhur me atë që dje e zbuloi kryeministri i Maqedonisë në Negotinë.

Onlajn edicionet e mediave greke, në përgjithësi e ndërmorën tekstin e publikuar nga agjencia greke e lajmeve ANA-MPA.

Edicioni onlajn i gazetës “Ta nea” shkruan se “vetëm disa orë para takimit të tij me ministrat e Punëve të Jashtme të Greqisë dhe Shkupit në Bullgari, Zoran Zaev doli me deklarata të rëndësishme. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, kryeministri i Shkupit theksoi se janë harmonizuar tre nga shtatë çështjet, që janë pjesë e konsultimeve mes dy ministrave të Punëve të Jashtme.

“I pyetur se cilat janë tre çështjet të cilat janë mbyllur, kryeministri i IRJM-së, tha se ato janë çështjet më të lehta, pa hyrë në detaje që të mos krijohet, ashtu siç tha, përshtypje se negociohet përmes mediave”, shkruan agjencia shtetërore greke ANA-MPA.

“Kryeministri i vendit fqinj Zoran Zaev shprehu bindje se negociatat me Greqinë për emrin lëvizin në bazë të mirë”, shkruan edicioni onlajn i gazetës “Efimerida ton sindakton” dhe përkujton se shtatë çështjet në biseda janë: emri, përdorimi i emrit, identiteti, gjuha, përdorimi tregtar, akronimet dhe shenjat.

Pikërisht këto shtatë çështje, që i citon gazeta si pjesë e negociatave, në intervistë për televizionin shtetëror ERT më 29 janar i përmendi edhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikos Koxias.

Lidhur me emrin, mediat greke komentojnë se Athina preferon që kjo të jetë pa përkthim, në gjuhën maqedone dhe një fjalë e vetme, derisa, megjithatë, Shkupi kërkon të jenë dy fjalë të ndara. Televizioni “Star” mbrëmë publikoi se emri për të cilin ekziston pajtim fillestar nga të dy palët është “Maqedonia e Epërme”.