Matka e lënë pas dore , komuna e Sarajit nuk ka inspektor


Ndërtim prej druri dhe shkallë që çojnë nga shtegu i kanionit drejt ujrave të liqenit Matka. Në një tabelë me mbishkrim në gjuhën angleze: “Udhëtim me varkë – Qenan ” shkruan se një shëtitje nëpër liqenin artificial kushton 200 denarë. Çmim ky më i ulët se i konkurrencës. Objekti me dërrasa si duket është paraparë për  kafene apo restorant. Edhe pse shenjat në tabelë tregojnë se në këtë vend bëhet fjalë për një zonë të mbrojtur, duket cinike kur e shihni objektin pa leje i cili është ndërtuar me muaj të tërë, pa dal as edhe një herë në teren inspeksionet kompetente që të merren me këtë ndërtim të paligjshëm. Nga Qyteti i Shkupit i bëjnë thirrje komunës së Sarajit që ta bëj punën e saj, e nga atje thonë se nuk kanë inspektorë për të dal në terren.

“Nga e dini se është ndërtim i paligjshëm?”, pyet Adam Saraqini, Udhëheqësi i Sektorit për Urbanizëm në komunën e Sarajit.

Ai tha se tek ata nuk ka arritur as një letër nga kryetari Petre Shilegov ose nga institucione të tjera kompetente të cilat  do t’i lajmëronin se duhet të marrin masa për të shkatërruar ndërtimin ilegal në Matkë.

Nga qyteti i Shkupit thonë se me vet iniciativë kanë dalë në terren përmes Inspektoratit të qytetit dhe kanë konstatuar gjendjen e parregullt. Për këtë kanë njoftuar Këshillin inspektues i cili duhet të ndërmarrë  masa plotësuese për mosveprimin e inspeksionit ndërtimor të komunës së Sarajit.

“Përveç kësaj, në koordinim me ministrin e Transportit dhe Lidhjeve e njoftuam Inspektoratin shtetëror i cili duhet të dalë në vend të ngjarjes për ta konstatuar gjendjen dhe në pajtim me atë të sjellë vendim adekuatë nëse do t’ia marrë apo jo ingerencat urbanizmit të Komunës së Sarajit”, theksoi kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.

Ai i bëri thirrje komunës së  së Sarajit dhe kryetarit Blerim Bexheti që të fillojnë t’i bëjnë punët për të cilat janë zgjedhur.

“Ne nuk duhet të lejojmë ndërtim pa leje, veçanërisht jo në pasuritë natyrore dhe në një vend të rrallë siq është Matka,” tha Shilegov.

Ndërkohë, Saraqini shpjegon se komuna në të cilën punon përballet me probleme reale dhe prandaj nuk mund të arrijnë të jenë kudo në terren.

“Kemi dy inspektorë. Njëri është komunal, por tani është në pushim mjekësor. Tjetri është inspektor i ndërtimit i cili tashmë është në pension. Kemi shpallur konkurs për zëvendësimin e tij, por askush nuk lajmërohet. Prandaj, ne përpiqemi të mbulohemi me komunat me të cilat kemi bashkëpunim të mirë, por nuk mundemi të jemi gjithkund. Unë personalisht nuk kam qenë në Matkë dhe  nuk e kam parë vendin për të cilin më pyesni, kështu që nuk mund të them nëse është  ndërtim pa leje. Më habit edhe ajo që pohon Shilegov, ai ka komunikim të rregullt me ​​Bexhetin, dhe komuna jonë ka bashkëpunim të shkëlqyer me qytetin e Shkupit. Nuk e di se çfarë keni parë gjatë vizitës tuaj, por ju duhet të jeni të vetëdijshëm se po vjen vera dhe po fillon sezoni turistik. Për rreth Matkës po vendosen tabela të reja, po ngjyrosen,po zbukurohen, që nuk do të thotë se po ndërtohen ose zhvillohen objekte të reja, “tha Saraçini për” Nezavisen Vesnik”.

Të mërkurën nuk kishte as një nga pronarët e varkave rreth objektit në fjalë. Sipas informatave tona, objekti është i ndërtuar nga gjashtë vëllezër, nga fshati fqinj Glumovë, ndikimi i të cilëve është i madh në fshat dhe në autoritetet komunale.

“Ata punojnë që nga viti i kaluar, atëherë askujt nuk i pengonte, por edhe tani ata nuk po fshihen, kanë filluar ta përhapin biznesin, nuk mund të ju bëjnë asgjë “, thonë banorët e Glumovës.

Kanioni Matka është shpallur një ndër vendet më të bukura natyrore  dhe është një zonë e mbrojtur e një kategorie të tretë, do të thotë që nuk janë të lejuara aktivitete që do ta shëmtonin  imazhin e saj. Në një studim të UNDP-së nga viti 2010, thuhet se për mbrojtjen e kanionit Matkë po kujdesen 39 institucione, mirëpo në terren nuk kujdeset asnjëra!

Destinacion atraktiv

Për shkupjanët, madje edhe për shumë turistë të huaj, të ngopur nga qendra e qytetit, i cili është i mbushur me monumente , kanioni dhe liqeni Matka janë një destinacion atraktiv për faktin se ajo është një rezervë natyrore e kafshëve të ralla (siç janë shqiponjat kokëbardha dhe pesëmbëdhjetë llojet e fluturave që jetojnë vetëm në këtë teren) dhe të bimëve endemike dhe bimëve mjekësore. Matka ofron alpinizëm, not, shëtitje,vizitë shpellave, një pjesë e të cilave mund të vizitohen me varkë. Të gjithë, pa përjashtim, mund të kënaqen në shëtitjen me varkë në liqenin më të vjetër artificial në Maqedoni.

Gazeta e njohur britanike Guardian në vitin 2015 liston Matkën midis dhjetë kanioneve më të bukura në Evropë, që ofrojnë pamje të mrekullueshme dhe rrugë të mira ecjeje.

Ky është liqeni më i vjetër artificial në Maqedoni, akumulimi i të cilit është ndërtuar në vitin 1938, përmes ndarjes së lumit  Treska me një digë.

Në vitet e fundit vizitorët e Matkës sillen si në një zonë pikniku. Turma që bëhet gjatë kohës së vikendeve dhe kaosi i trafikut të parregulluar, nuk e lejon autobusin e qytetit të kthejë në destinacionin e fundit për në qytet. Grumbuj mbeturinash të lëna nga qytetarët e pakujdesshëm është një pamje e zakonshme pas përfundimit të ekskursionit.

“Që nga viti 2012,  rregullisht e pastrojmë Matkën. Në të kaluarën, problemi ishte që për mbajtjen e higjienës ishte e obliguar Ndërmarrja publike nga komuna e Sarajit e cila nuk kishte kapacitet për të trajtuar mbeturinat që mijëra vizitorë linin pas. Tani, këtë pjesë të punës e ka marrë përsipër Higjiena Komunale dhe shpresojmë se do të jetë më mirë. Mungon  inspeksioni që t’i ndëshkojë qytetarët e pakujdesshëm, është e qartë se edukimi nuk është i mjaftueshëm “, thotë Blaze Josifovski, nga organizata joqeveritare” Ajde Makedonija “.

Nuk ka mbeturina gjatë ditëve të punës, pasi që edhe vizitorë nuk ka aq shumë, veçanërisht në dimër ose kur moti është më i ftohtë.

“Nga viti në vit qarkullimi po bëhet më i dobët dhe nuk mund ta kuptoj pse. Atë që e ka Matka, nuk e ka ndonjë vend tjetër.Tetëdhjetë për qind e mysafirëve që qëndrojnë më gjatë se një ditë janë të huaj, por ka edhe vizitorë tanë nga brenda “, thotë një menaxher i një restoranti.

Nga Sektori për Zhvillim Ekonomik të Qytetit të Shkupit  thonë se po bëjnë gjithçka që munden  për t’ia kthyer imazhin e bukur Matkës ashtu siç e kishte më parë.

“Mendojmë se jemi në rrugën e duhur, atë na tregon turma gjatë vikendeve dhe periudha verore. Vetëm vitin e kaluar kemi realizuar 17 aktivitete të lidhura me kanionin dhe lumin Treska dhe atë me vendosjen e gardhave mbrojtës, rindërtimin e vendkalimit për këmbësorë dhe pastrimin e liqenit. Këtë vit do të bëjmë që shpella Vrelo të jetë në dispozicion për turistët, do të ketë qasje me shkallë dhe vendkalim në të dy anët. Përsëri do të bëjmë pastrimin e liqenit dhe në bashkëpunim me Federatën e Peshkimit do të bëjmë kontrollimin e liqenit për t’i evidentuar peshkatarët të cilët zënë peshq pa leje. Kemi vizita të rregullta nga peshkatarë të huaj, kështu që ideja është për t’i zgjeruar hapsirat që turistët  të mos qëndrojnë vetëm një ditë, por të qëndrojnë në Shkup ose në hotelet pranë. Sa i përket kaosit në trafik, në plan kemi për të ndërtuar një parking tek objekti i ushtrisë dhe me minibus t’i zbresim turistët”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Matka është vërtet e bukur, e për këtë është bindur secili i cili e ka vizituar së paku një herë. Të gjithë ata që të paktën njëherë e kanë vizituar e din që Matka mbijeton vetvetiu. Matka nuk ka ekip të shpëtimit, por ka shkëmbinj të rrezikshëm të cilët janë sfidë për alpinistët me eksperiencë dhe me pak përvojë, si dhe për alpinistët e zakonshëm – të dashuruar në natyrë. Nuk ka kufizime në lëvizje, secili është i lëshuar në vetvete, por mos dhashtë Zoti për ndonjë rrezik duhet të kërkohet ndihmë nga ekipi i shpëtimit të Vodnos. Pavarësisht se sa terrorizohet, Matka mbetet mistike dhe e mbyllur në botën e saj.

Misteri i burimeve të fshehta

Kanioni i lumit Treska mbulon një sipërfaqe prej rreth 5.000 hektarësh. I njohur me dhjetë shpellat me gjatësi prej 20 deri në 176 metra. Matka është një nga qendrat më të mëdha të koncentrimit të gjallesave pas periudhës akullnajore, e cila kontribuoi që në këtë hapësirë të ketë lloje të ndryshme të kafshëve dhe bimëve . Nga numri i përgjithshëm i mijëra specieve bimore, njëzet për qind janë relike. Më së shumti haset Viola kosanini. Në Matkë janë zbuluar dy lloje të reja të merimangave të vërteta dhe pesë akrepa të rremë. Në kanion janë regjistruar 119 lloje të fluturave të përditshme dhe 140 lloje flutura të natës. Brenda kanionit gjendet edhe parku speleologjik “Jovica Grozdanovski”, i emëruar pas alpinistit të vdekur tragjikisht. Parku përbëhet nga tre shpella (Vrella, Uba dhe Krstana), si dhe një shpellë nënujore (Nënvrella).

Për shkak të karakteristikave të vet terrenit dhe qasjes së vështirë, në të kaluarën në Kanionin Matka, ishin të ndërtuara një numër i madh kishash dhe manastire si dhe objekte të tjera të shenjta. Prandaj, Matka mbart emrin e Kodrës së Shenjtë. Sot ka shumë kisha që nga periudha mesjetare, shumica prej tyre janë ruajtur dhe disa janë shkatërruar. Përveç ndërtesave fetare, lartë në Kanionin Matka, ka mbeturina të ish kështjellës mesjetare ‘’Markov Grad’’. Ajo ka qenë e  ndërtuar për arratisejn e popullatës në kohën e ardhjes së Perandorisë osmane.

Nga liqeni uji përdoret për fitimin e  energjisë elektrike, por edhe për ujitje e fushave në  fshatrat përreth. Liqeni është plot me peshq dhe përdoret shpesh për peshkim sportiv. Shpella Vrelo është një nga shpellat më të thella nënujore në Evropë, e cila ka një thellësi prej më shumë se 203 metra. Misteri i Matkës është bërë nga burime sekrete të ujit prapa të cilave mund të gjenden shpella të shumta. Kanioni i Matkës është një nga rajonet më madhështore në Maqedoni. Anët e kanionit janë shkëmbinj vertikalë që strehojnë tempuj të lashtë, kisha dhe manastire mesjetare.

Në vend që  të rrënohen ndërtimet e paligjshme, do të legalizohen

Sipas Ligjit për ndërtim, punën e komunës e kontrollojnë inspeksionet ,por ingerencat mund të merren me propozim të Inspektoratit Shtetëror të Ndërtimit. Nga Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale është njoftuar se do të vazhdojë legalizimi i ndërtimeve pa leje, ndërsa ata që do t’i legalizojnë ndërtimet përveç shërbimeve do të paguajnë edhe dënime shtesë.

” Ne nuk guxojmë të stimulojmë ndërtim të paligjshëm në asnjë mënyrë. Duhet të gjejmë një balancë në zgjidhjen e problemit, “theksoi kryetari i qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.

Nuk do të paguhet një euro për metër katror, por të paktën 50 për qind shërbime më të larta për ndërtime të paligjshme. Në shtet ka rreth 70 mijë ndërtesa të paligjshme, duke filluar prej terasave deri te ndërtesat shumë katëshe. Sipas BNJVL-së deri tash për legalizimin e një shtëpie prej 120 metra katror, duke përfshirë terasat dhe garazhet është paguar 438,000 denarë,kurse tash do të paguhet 700,000 denarë, plus shpenzimet administrative. Qytetarët tashmë kanë reaguar se me një masë të tillë nuk zgjidhet asgjë, përveq se mbushen arkat e komunave, ndërsa ndërtesat e paligjshme do të shtohen edhe më tutje.

Goran Adamovski