MASH: Nxënësit librat mund t’i zbresin nga interneti

Arsyet se pse nuk ka libra për një pjesë të lëndëve profesionale më së shpeshti janë procedurat shumë të gjata në procesin e përpunimit dhe miratimit të librave, thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në përgjigjen e TV21, se pse disa vjet ka mungesë të librave në lëndët profesionale.

Njëkohësisht, nga Ministria thonë se të gjitha librat që janë miratuar për përdorim të shkollimit të mesëm janë të publikuara në formë elektronike në ueb-faqen www.ucebnici.mon.gov.mk dhe të njëjtat mund të merren nga faqja dhe të shfrytëzohen.

Për lëndët që tanimë ekzistojnë programe arsimore, ndodh që në konkurse për përpunim të librave të mos paraqitet asnjë autor për disa fusha dhe profile arsimore dhe për këtë arsye Shërbimi Pedagogjik është i detyruar që të publikojë përsëri konkurs (prej 1 deri në 6 muaj).

“Nëse në konkurs përsëri nuk paraqiten autorët me libra, Shërbimi Pedagogjik shpall thirrje publike për formimin e ekipit autorial për përpunimin e librit dhe e njëjta nëse paraqiten autorët zgjat 3 muaj, ndërkaq nëse nuk paraqiten autorët ngelemi pa libër në ndonjë libër të caktuar”, thonë nga MASH.