MASH dhe SASHK i përafrojnë qëndrimet, a do të ketë rritje të pagave në arsim nga janari?


Janë përafruar qëndrimet mes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK), por jo edhe Marrëveshje konkrete për rritjen e pagave të punëtorëve në arsim. Bisedat do të vazhdojnë javën e ardhshme, deklaruan pas takimit të sotëm në Qeverisë, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi dhe kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedellkov.

SASHK-u dhe MASH-i janë në rrugë të mirë për të arritur zgjidhje. Ka përparim dhe përafrim të qëndrimeve. Negociata do të vazhdojnë në ditët në vazhdim. Por, me rëndësi është se ka përafrim. Ne si qeveri maksimalisht jemi të interesuar për të përmirësuar situatën dhe statusin social të të punësuarve në sferën e arsimit”, tha ministri Ademi, pas takimit në të cilën mori pjesë edhe kryeministri Zoran Zaev.

Megjithatë, ministri Ademi nuk zbuloi nëse është mundur të pranohen të gjitha kushtet e Sindikatës, por tha se po shqyrtohen të gjitha opsionet të cilët janë në pajtim me mundësitë e Qeverisë.

Përparimin në bisedat e konfirmoi edhe kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedellkov, duke shtuar se ka edhe shumë punë, dhe se javën e ardhshme do të ketë edhe disa takime mes Sindikatës dhe MASH-it.

Qeveria ka ofruar rritje prej 10 për qind të pagave deri në prill të vitit 2020. Ndërkohë, SASHK-u mbetet në kërkesën se rritja duhet të ndodhë nga 1 janari, respektivisht për përqindjen e rritjes për të cilën thanë se duhet të jetë mbi 10 për qind, ende po negociohet.

SASHK-u paraprakisht paralajmëroi se nëse nuk pranohen kërkesat e tyre do të organizojnë grevë të përgjithshme me 11 nëntor.