Marrëveshja e Prespës kriter për votën e grekëve në zgjedhjet e ardhshme


Pothuajse 7 prej 10 grekëve vlerësojnë se Marrëveshja e Prespës shumë do të ndikojë në votën e qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme, sipas hulumtimit të fundit të opinionit publik në zbatim të agjencisë “Alco” për televizionin grek “Open”.

Në pyetjen “nëse vlerësoni se Marrëveshja e Prespës do të ndikojë shumë, pak ose aspak në votën e qytetarëve”, 67 për qind e të anketuarve janë përgjigjur “shumë”, 23 për qind “pak”, ndërsa vetëm 6 për qind aspak, ndërsa 4 për qind kanë thënë se nuk e dinë ose kanë refuzuar të përgjigjen.

Për dallim prej ndikimit të madh të marrëveshjes, masat pozitive qeveritare për grekët shumë më pak do të ndikojnë ndaj vendimit të tyre për kë do të votojnë. Për atë nëse rritja e pagës minimale dhe masat e tjera ekonomike do të ndikojnë në votën e qytetarëve, 39 për qind kanë thënë se ndikimi do të jetë i madh, 35 për qind i vogël, ndërsa 19 për qind se aspak nuk do të ndikojë.

Hulumtimi ka treguar se edhe krahas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Prespës dhe emrit të ri për vendin tonë, shumica e grekëve do të vazhdojnë ta përdorin termin Shkupi. 59 për qind janë përgjigjur se vendin fqinj do ta quajnë Shkupi, 37 për qind Maqedonia e Veriut, 7 për qind IRJM, ndërsa po aq përqind prej të anketuarve kanë thënë se nuk e dinë ose kanë refuzuar të përgjigjen.

Për ekonominë greke, 71 për qind kanë thënë se po shkon në drejtim të gabuar, ndërsa 42 për qind vlerësojnë se situata në vend do të ishte e njëjtë nëse në pushtet do të ishte Demokracia e Re.

Lidhur me sistemimin e forcave të partive greke, Demokracia e Re është e para me 6.5 për qind para SYRIZA-s, ndërsa më pas pasojnë Agimi i Artë, Partia Komuniste, Lëvizja për Ndryshim, Lidhja e Centristëve ndërsa Grekët e Pavarur dhe Potami mbeten jashtë parlamentit.