Maqedonia në prag të vendimeve kryesore, partitë të papërgatitur?


Optimizmi para fillimit të raundit të dytë të negociatave për çështjen e emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë më 17 janar në Nju Jork, është shumë i lartë. Por sa partitë politike të bllokut maqedonas dhe shqiptarë janë të përgatitur për këtë sfidë?

Përderisa qeveria në krye me kryeministrin Zoran Zaev dhe zëvendëskryeministrin për çështje evropiane Bujar Osmanin vlerësojnë se gjashtë muajt vijues janë shumë të rëndësishëm për Maqedoninë, dhe së bashku me politikanët grek po ndërtojnë planin e zgjidhjes së çështjeve të hapura, situata e politikës së brendshme nuk premton se partitë, në veçanti, nuk premton se janë të gatshëm për arritjen e konsenzusit politik rreth pakos së reformave urgjente dhe çështjes së hapur e emrit me Greqinë. Për mediat greke z/v kryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani deklaroi se Greqia dhe Maqedonia janë shumë afër marrëveshjes përfundimtare të kësaj çështjeje.

“Ekziston marrëveshje reciproke e pranuar nga të dyja palët, mendoj që kemi arritur në fund të problemit”, deklaroi Osmani për TV Antena. Osmani poashtu mohon se qeveria greke pranon çdo propozim ku përfshihet emri Maqedoni. Nga qeveri greke mohojnë se është arritur marrëveshje paraprake ose avansim të negociatave. Zëdhënësi i qeverisë greke Dimitris Canakopulos deklaroi se nuk janë të interesuar të komentojnë spekulimet që qarkullojnë tek media të ndryshme.
“Nuk jemi të interesuar ti komentojmë spekulimet  e shumta në lidhje me negociatat për çështjen e emrit, por jemi të interesuar të vazhdojmë me negociatat në mënyrë serioze, që të mund të arrijmë deri tek marrëveshja reciproke e pranuar nga të dyja palët dhe ti japim fund problemit 25-vjeçar”, deklaroi Canakopulos.

Se situata momentale politike nuk është e gatshme për zgjidhje të çështjeve elementare dëshmon edhe deklarata e politikologut Petar Arsovski. Ai për “Nezavisen Vesnik” tha se edhe përkundër takimeve pozitive mes kryeministrit Zoran Zaev dhe liderit të ri të VMRO – DPMNE-së, duhet të ketë më tepër takime të të gjithë liderëve të partive kryesore në vend, me qëllim që të arrihet konsenzusi politik.

“Mendoj se do të jetë e pashmangshme që për disa çështje të arrihen marrëveshje paraprake mes partive kryesore politike dhe me këtë të arrihet përkrahja e nevojshme për reformat si dhe kuorumi në Kuvend, por njëkohësisht të arrihet konsenzus partiak për çështjen e emrit. Ndoshta kjo do të arrihet nëpërmjet takimeve të liderëve politik, vërej që Mickovski dhe Zaev kanë zbutur qëndrimet e tyre dhe kanë hapur rrugë komunikimi, por mendoj se kjo për momentin nuk mjafton. Është e nevojshme që këto takime të intensifikohen që të arrihet deri në konsenzus politik”, deklaroi Arsovski.

Sipas tij, tek kampusi politik shqiptar gjërat janë edhe më të komplikuar, por ai nuk pret që për çështje serioze partitë politike shqiptare të kenë sjellje problematike.

“Tek blloku shqiptar situata është edhe më e komplikuar. Mendoj që për pastrimin e fotografisë tek politika shqiptare duhet të presim e të shohim si do të përfundoj situata te Lëvizja Besa si dhe tek Aleanca për Shqiptarët. Mendoj se për momentin, pa marrë parasysh mosmarrëveshjet mes tyre, nuk do të bëjnë probleme politike që të arrihet deri tek konsenzusi politik për zgjidhjen e çështjes së emrit. Por mund të bëjnë problem për reformat urgjente prioritare, por nëse VMRO – DPMNE dhe LSDM arrijnë marrëveshje, atëherë votat e partive shqiptare do të jenë të panevojshme”, deklaroi Arsovski.

Blerim Ismaili