Maqedonia në NATO, e mirëpritur nga të gjitha institucionet shqiptare


Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Gramoz Ruçi, sot e priti të ngarkuarin me punë të Maqedonisë në Tiranë, Danço Markovski.

Siç njofton ATSH-ja, në fokus të bisedës ishin zhvillimet më të fundit në Maqedoni, nënshkrimi nga vendet anëtare të NATO-s të protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në aleancën më të madhe ushtarake të globit.

Kryetari i Kuvendit shqiptar përgëzoi Markovskin për arritjen historike e të shumëpritur, e cila është përshëndetur nga të gjitha institucionet shqiptare dhe që është një lajm i mirë jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për të gjithë rajonin.

“Maqedonia në NATO është mirëpritur nga të gjitha institucionet shqiptare, si suksesi i një vendi fqinj, me të cilin gjendemi gjeografikisht në të njëjtin rajon, por me të cilin ndajmë vizionet e së ardhmes së përbashkët euro-atlantike”, u shpreh Ruçi.

Markovski i shprehu falënderimet dhe mirënjohjen kryetarit të Kuvendit për mbështetjen e vazhdueshme të Kuvendit të Shqipërisë dhe Republikës së Shqipërisë ndaj vendit të tij. Duke e cilësuar së këto zhvillime i dhanë fund një periudhe pritjeje prej 20 vitesh, përcolli synimin e autoriteteve të Maqedonisë që të arrijnë ratifikimin e Protokollit për anëtarësim në NATO brenda një periudhe 12-mujore.

Ruçi, u shpreh se gjatë vizitës së tij në Shkup në dhjetor 2018, në takimet me autoritetet më të larta, kishte marrë angazhimin që Shqipëria do të ishte ndër vendet e para që do ratifikonte këtë Protokoll dhe se tashmë qeveria shqiptare e kishte miratuar vendimin, i cili ka arritur në Kuvend dhe do të ratifikohet me procedurë të përshpejtuar.

“Data e parë e mundshme për këtë ratifikim është seanca e javës së ardhshme, 14 shkurt 2019”, u shpreh Ruçi në takim.

Gjithashtu, kryeparlamentari shqiptar theksoi se, pavarësisht klimës politike ndonjëherë të polarizuar në Shqipëri, të gjitha grupet politike në Kuvend kanë shprehur vullnetin politik pozitiv për ratifikimin e Protokollit për Anëtarësin e Maqedonisë së Veriut në NATO.