Maqedonia me rritjen më të ulët në rajon


Prognoza e rritjes ekonomike në Maqedoni për këtë vit, sipas Bankës Botërore nuk është optimiste.

Me rritjen vetëm 1.5%, ekonomia vendore renditet në fund në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor. Deficiti buxhetor prognozohet në 3% të Bruto Prodhimit Vendor. Si arsye kryesore për treguesit ekonomikë jo të favorshëm përmendet kriza politike por edhe pasiguria tek qytetarët dhe sektori privat.

Në raportin për gjysmën e vitit theksohet se vitin e ardhëm priten rezultate më të mira, me rritje prej 3.2%, ndërsa në vitin 2019, rritja parashikohet të jetë 3.9%.

“Konsumi final, ashtu si edhe në të kaluarën, mbetet motori kryesor i rritjes ekonomike, i mbështetur edhe në rritjen e punësimeve, rritjen e pagave, pensioneve dhe në mbështetjen kreditore nga bankat. Krijimi i vendeve të punës, me përkrahjen e politikave aktive të tregut të punës, janë nxitje e rëndësishme financiare, ashtu siç ndodhi në sektorin tregtar, në industrinë përpunuese dhe atë të transportit”, u shpreh Bojan Shimbov, ekonomist në Bankën Botërore.

Përkundër stagnimit të rritjes ekonomike, Banka Botërore konkludon se shkalla e papunësisë në Maqedoni do të shënojë rënie. Në vitin 2016, numri i të punësuarve u rrit për 2.5%, ndërsa në gjysmën e parë të vitit 2017, ky numër u rrit në 2.7%. Megjithatë, përfaqësuesi i Bankës Botërore në Maqedoni, thekson nevojën urgjente për uljen e varësisë së Fondit pensional nga paratë e buxhetit shtetëror.

“Në Maqedoni, në periudhën e fundit, kemi pasur rritje të shpenzimeve për pensione dhe shpenzime për mbrojtje sociale. Krejt kjo në llogari të investimeve kapitale që në këtë periudhë u reduktuan në mënyrë konstante. Kjo lloj strukture lë pak hapësirë për këto investime që vijnë nga buxheti. Nëse presim përshpejtim të rritjes ekonomike në periudhën vijuese, kjo strukturë nevojitet të ndryshojë”, shtoi Shimbov.

Në reagimin e partisë opozitare VMRO-DPMNE thuhet se pushteti është i paaftë dhe nuk ka plan ekonomik.

“Para 6 muajve, Zaevi në seancën konstitutive në Kuvend, paralajmëroi rritje prej 5% për çdo vit. Siç flasin faktet, premtimet e tij ishin mashtrim. Rritja e dobët ekonomike është pasojë e mungesës së projekteve kapitale zhvillimore, e ndërprerjes së projekteve ekzistuese kapitale, rënies në ndërtimtari dhe ngecjes sa i takon tërheqjes së investimeve të huaja”, nga VMRO-DPMNE.

Sa u përket treguesve ekonomikë në rajon, Banka Botërore prognozon se lider do të jetë Kosova me rritje prej 4.4 %, më pas Mali i Zi me 4.2%, Shqipëria me 3.8%, Bosnja dhe Hercegovina me 3% dhe Serbia me 2%.

Përndryshe, në vitin 2015, rritja ekonomike e Maqedonisë ishte 3.8%, ndërsa në vitin 2016, 2.4%.