Maqedoni, pas skandalit, anëtari i Antikorrupsionit dha dorëheqje


Ish kryetari i Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit (Komisioni për Antikorrupsion) dhe anëtari aktual, Goran Milenkov, ka dhënë dorëheqje nga posti, njofton Portalb.mk.

Edhe pse ai nuk ka komentuar se pse po jep dorëheqje, megjithatë, ky akt vjen një javë pasi që u publikua revizioni i Drejtorisë për të Ardhura Publike për Komisionin Antikorrupsion, në të cilin u theksuan dyshime për pagesë të harxhimeve rrugore me dëshmi të rrejshme, si dhe harxhim jo-efikas të parave të buxhetit.

Si harxhim i paarsyeshëm, në raport është theksuar edhe harxhimi i parave shtetërore në restorante që i kanë bërë gjatë udhëtimeve zyrtare jashtë vendit, por edhe një rast tjetër, ku një anëtar i Komisionit ka paguar qira 100 euro, ndërkaq nga Komisioni ka marrë 350 euro.

Revizioni ka të bëjë në përbërjen e Komisionit në krye me kryetarin Igor Tanturovski dhe anëtarët Farie Aliu, Goran Milenkov, Zhaklina Damçeska, Najdo Spasovski, Suzana Taskova-Axhikotareva dhe Sejdi Haliki, të cilët në këtë funksion janë që nga prilli 2015.