Mançevski: Na goditën me grushte, karrige, trekëmbëshat e kamerave dhe kompjuterë


Pas kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi, për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend, vitin e kaluar, pasdite në Gjykatën Penale dëshmoi ministri i Shoqërisë Informatike, Damjan Mançevski.

Duke iu përgjigjur pyetjes së prokurorit Darko Jakimovski, Mançevski tha se e gjithë ngjarja ka filluar pas përfundimit të pres konferencës për përzgjedhjen e Xhaferit për kryetar të Kuvendit.

Theksoi se ka dëgjuar thyerje të xhamave nëpër korridore dhe hapat e njerëzve të cilët kanë ardhur të maskuar. Tha se është goditur me grusht dhe se ia kanë thyer hundën.

“Na godisnin, disa me duar, disa me trekëmbëshin e kamerës, me karrige, me kompjuter. Kjo zgjati për një orë e gjysmë. Sela ishte në anën e majtë të grupit parlamentar të cilët ishim në cepin e media qendrës”, tha Mançevski.

Dëgjuam thirrje me kërcënime, drejtuar konkretisht disa personave me emra, ndërsa disa në përgjithësi ndaj të gjithëve. Dëgjohej “Vrite Selën, vrite Zaevin, vrisni tradhtarët”.

Paraprakisht, Talat Xhaferi i cili ishte dëshmitari i parë për sulmin ndaj deputetit dhe liderit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela në Kuvend, në sallën e gjyqit i identifikoi pesë persona të cilët kanë qenë pjesëmarrës në ngjarjet e 27 prillit në Kuvend.

Ai e identifikoi Stojan Pavlevski, Andrej Micov, Nikolçe Dimitrievski, Kire Gjorgjievski dhe Oliver Oshakovski. Xhaferi nënvizoi se ata kanë qenë ndër të parët të cilët kanë hyrë në media qendrën e Kuvendit të Maqedonisë dhe i kanë sulmuar deputetët.

Xhaferi tha se personat të cilat me forcë kanë hyrë në Kuvend dhe në pres qendrën janë kërcënuar se do ti vrasin të gjithë dhe se askush nuk do të dalë./zhurnal