Maliqi: Gjithmonë kam respektuar ligjet, nuk jam pronar i parcelave të dyshimta


Nënkryetari i Qytetit të Shkupit, Enver Maliqi ka reaguar lidhur me arrestimet e sotshme në Shkup ku në disa media është theksuar se aksioni policor ka pas të bëjë me ndërtimin e tre hoteleve në tokë shtetërore përgjatë lumit Vardar nga ana e kundërt e parkut të Qytetit të Shkupit dhe se të njëjtët kanë manipuluar me tokë shtetërore. Sipas mediave deputeti i BDI-së, Ejup Alimi dhe biznesmeni Enver Maliqi parcelat i kanë blerë 8 ditë para zgjedhjeve derisa ministër ka qenë Xhemali Mehazi, por Maliqi demanton një lajm të tillë. Ai përmes profilit të tij në ,,Fejsbuk”, ka theksuar se si biznesmen çdoherë ka lobuar dhe është kujdesur që të respektohen ligjet dhe se toka për të cilën flitet nuk është në pronësi të tij.

,,Në fillim të vitit 2006 toka në fjalë ishte nën pronësi time, mirëpo përshkak të pengesave të shumta administrative, isha i detyruar që të njejtin tia kthejë Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila sot e kësaj dite në dokumentacionet zyrtare figuron si pronare e saj. Si afarasit i njohur dua të sqaroj se gjitha hapat që kam ndërrmar janë në përputhje dhe komfort ligjeve të shtetit tonë”, ka theksuar Maliqi.