Makraduli: Ndërmarrjet të aplikojnë për subvencione për vendosje të filtrave në oxhaqe


Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme nga rajoni i Pollogut të aplikojnë për subvencionim me qëllim që të marrin filtra për oxhaqet e sistemeve për ngrohje, apelon zëvendësministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Jani Makraduli nga Tetova ku ishte për vizitë në fabrikën e mobiljeve “Nju dizajn”.

Firmat kanë mundësi deri më 23 shtator të paraqiten në thirrjen e Ministrisë në suaza të implementimit të planit për ajër të pastër.

“Thirrja është në suaza të implementimit të planit për ajër të pastër prejse vitin e kaluar në propozim të organizatës qytetare Eko Guerila erdhi deri te iniciativa për vendosje të filtrave në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të cilët një pjesë të mbeturinave e shfrytëzojnë për ngrohje. Njëkohësisht dhamë 5,2 milion denarë për komunën e Tetovës për objektet ku duhet të zëvendësohet ngrohja. Mjetet janë transferuar dhe presim të zgjedhin ndonjë objekt publik. Qëllimi është sa më pak objekte të ndotin. Ka edhe iniciativa tjera të gjitha institucionet publike të mos ndotin dhe ta zëvendësojnë mazutin me mënyrë tjetër të ngrohjes. Besojmë se procesi më lehtë do të rrjedh edhe me gazifikimin”, tha Makraduli.

Në projekt është parashikuar të përfshihen 30 firma sipas kritereve të caktuara, ndërsa vlera e subvencioneve është 2,5 milion denarë.

“Me këtë luftojmë me vetë burimin e ndotjes. Jemi të kënaqur që Qeveria vendosi t’i subvencionojë firmat, ndërsa ne si organizatë të jemi nga ndihma teknike rreth dokumentacionit. Do të dëshironim të vazhdohet afati sepse firmat ende nuk e dinë”, theksoi Arianit Xhaferi nga Eko Guerila.