Lukarevska: Të gjithë personat fizik nuk obligohen të paguajnë TVSH


Qeveria e re nuk ka bërë kurrfarë ndryshimi ligjor në pikëpamje të TVSH-së, ndërsa në veprimin e DAP nuk ekziston ndryshim për këtë çështje. Të gjithë personat fizik nuk janë obligues për qëllime të TVSH-së, përkundrazi bëhet fjalë për një numër të vogël personash.

Këtë e deklaroi drejtoresha e Drejtorisë për të Ardhura Publike, Sanja Lukarevska duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve sot në Konferencën për kontroling në Shkup.

Ajo theksoi se numri i personave fizik të cilët janë regjistruar për qëllime për TVSh në vitin 2015 ka qenë 761, në vitin 2016 ka qenë 1.059 ndërsa në vitin 2017 ka qenë 1.185. Për vitin 2018, siç tha, sipas të dhënave fillestare ky numër nuk do të dallojë në mënyrë drastike prej vitit paraprak.

Sipas saj, interesi i qytetarëve është në radhë të parë dhe prandaj tek ta nuk duhet të ekzistojë brengosje, pasi pagat pavarësisht lartësisë nuk tatimohen me TVSH.

“Obligimi i përfshin personat fizik të cilët në mënyrë të pavarur zbatojnë veprimtari ekonomike, gjegjësisht realizojnë të mira dhe shërbime edhe atë në vazhdimësi dhe më pas e tejkalojnë pragun e rregulluar prej një milionë denarë në vit, ose në nivel mujor realizojnë mesatarisht mbi 83.000 denarë, duke mos e përfshirë pagën”, tha Lukarevska dhe shtoi se pavarësisht qarkullimit të realizuar, personat fizik të cilët marrin me qirra banesa për banim nuk obligohen për pagesën e TVSH-së. Gjithashtu shtoi, se janë përcaktuar shërbime të cilat kryhen ndaj subjekteve të huaja, për shembull programatore, nuk obligohen për TVSH.

Ajo potencoi se në pajtim me rregullativën e BE-së nuk duhet të bëhet dallim midis personave fizik dhe juridik të cilët bëjnë qarkullim të natyrës së njëjtë, pasi që, do të hapej hapësirë për fshehjen e tatimit.