17-vjet nga masakra e Lubotenit


Më 12 gusht Luboteni do të shënon përvjetorin e 17 të masakrës së vitit 2001, kur forcat policore vranë dhjetë shqiptarë të pafajshëm  dhe ushtruan terror e barbarizm mbi 100 të tjerë. Në atë kohë lufte njësitë policore e ushtarake të Maqedonisë vranë 6-vjeçarin Erxhan Aliun si dhe nëntë banorë të tjerë. Përveç këtyre vrasjeve, forcat policore dhe ushtarake arrestuan dhe keqtrajtuan mbi 100 banorë të fshatit si dhe dogjën 14 shtëpi.
Masakra e Lubotenit, një nga më të rëndat në Maqedoni, ishte ndër rastet e vetme që u gjykua nga Gjykata për Krime Lufte në Hagë. Ish-pjesëtari i lartë i forcave të sigurisë së Maqedonisë, Johan Tarçullovski u dënua me 12 vjet heqje lirie por pas 8 vjetësh u la i lirë, ndërsa ish-ministri i Brendshëm, Lube Boshkovski u lirua nga akuzat.
10 viktimat e masakrës së Lubotenit janë: Erxhan Aliu (6 vjeç), Dalip Murati, Muharem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami dhe Atulla Qaili.

Me këtë rast Bashkësia Lokale e Lubotenit organizon manifestim përkujtimor në hapësirat e shkollës së fshatit.

“Të nderuar bashkëfshatarë të fshatit Luboten dhe ju shqiptarë kudo që gjendeni, për shkak se po afrohet përkujtimi i ditës së 17 vjetorit të masakrës në f. Luboten dhe përkujtimit të dëshmorëve të këtij fshati, Bashkësia Lokale “Riza Ademi” – Luboten së bashku me familjet e dëshmorëve do të organizojë program për hirë të përkujtimit të kësaj dite. Të ftuar në këtë program janë personalitete që kanë qenë drejtpërsëdrejti në vijat e para të frontit përgjatë luftës së 2001, poashtu edhe rapsodë të njohur të trevave tona dhe mysafir nga vëllezërit tanë Kosovarë. Ftohen të gjithë fshatarët e f. Luboten, ata lubotenas që ishin pjesë e luftës së 2001, dhe të gjithë shqipëtarët që dëshirojnë të i nderojnë këta dëshmorë të marin pjesë në këtë program.

Programi mbahet më 12 gusht 2018 e dielë në hapësirën e Shkollës fillore “Liman Kaba” – Luboten me fillim nga ora 17:00″.