LSDM-ja shpalli thirrje të hapur për kandidatët për president të shtetit


Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë sot në ueb faqen e saj shpalli thirrje publike për kandidatët për zgjedhjet presidenciale.

Në konkurs theksohen katër kritere të cilat kërkohet nga kandidatët: Të jetë personalitet me reputacion të lartë shoqëror, të jetë i aftë për kryerjen e funksioneve të larta shtetërore, të gëzoj besim në anëtarësimin dhe simpatizuesit e LSDM-së, si dhe të jetë personaliet i cili në mënyrën më të mirë do ta zbatojë politikën e LSDM-së dhe do të punojë në realizimin e prioriteteve strategjike të Republikës së Maqedonisë – anëtarësimin e plotfuqishëm në NATO dhe BE, si dhe afirmimin ndërkombëtar dhe promovimin e Republikës së Maqedonisë.

Afati për paraqitjen e kandidatëve është deri më 19 shkurt. Ata aplikacionet e tyre duhet t’i dorëzojnë deri tek Këshilli ekzekutiv i partisë.

Ky vendim për shpalljen e thirrjes për kandidim është sjell në seancën e fundit të Këshillit qendror të LSDM-së kur u publikua se deri në fund të javës do të mbahet edhe seanca e Këshillit ekzekutiv që të sillet vendimi përfundimtar nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato presidenciale.

Sipas paralajmërimeve, LSDM-ja sot shpalli thirrje të hapur edhe për vetëkandidimin e kandidatëve për kryetarë komunash të komunës së Ohrit, Dibrës dhe Novo Sellës për zgjedhjet lokale, që do të mbahen së bashku me zgjedhjet presidenciale.