Llavrov nga Beogradi: BE-ja pasive për idetë e “Shqipërisë së Madhe”, shkelet Marrëveshja e Ohrit


Shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov pas takimit të djeshëm me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, në pres konferencë sërish foli për situatën në Maqedoni në kontekst, siç tha “të ideve të Shqipërisë së Madhe”.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me Kosovën dhe pasivitetin që ka BE-ja rreth “ideve për Shqipërinë e Madhe”, Lavrov tha se “nuk mund të mos na interesojë pasiviteti që BE-ja ka rreth iniciativës që u paraqit në Tiranë për të ashtuquajturën Platformën e Tiranës, e cila është një thirrje e hapur për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Para pak kohësh, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi se pikërisht ai nga Shqipëria e inicoi ligjin në Parlamentin e Maqedonisë, ligj i cili i jep statusin e gjuhës zyrtare gjuhës shqipe. Por në këtë mënyrë shkelet Marrëveshja e Ohrit, që të gjithë me lehtësim e pranuam, sepse e lehtësoi krizën në Maqedoni para shumë viteve”, deklaroi ministri rus i Punëve të Jashtme.

Llavrov konstatoi edhe se nëse tani “prishen ato që u arritën, që me kaq vështirësi i harmonizuam edhe në Maqedoni, edhe në Bosnjë edhe kudo qoftë në Ballkanin Perëndimor, atëherë do të kemi argument që ta lusim BE-në të japë raport për mënyrën se si ajo i plotëson vendimet e saj dhe se sa i përgjigjet besimit që komuniteti ndërkombëtar ia ka dhënë”.

“Kjo nuk është gjendje e lehtë”, konkludoi Llavrov duke e sqaruar qëndrimin e Rusisë për njohjen e Kosovës dhe Dialogun e Brukselit midis Beogradit dhe Prishtinës, që sipas Lavrovit, “realizohet me ngadalë për shkak të pasivitetit nga ana e BE-së”.