Lituania anëtarja e tetë e NATO-s që e ratifikoi Protokollin për pranimin e Maqedonisë së Veriut


Parlamenti i Lituanisë sot me 108 vota “pro” dhe me asnjë kundër e ratifikoi Protokollin për Inkuadrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO.

Në seancën plenare mori pjesë edhe kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi. Në fjalimin para deputetëve lituanezë  Xhaferi tha se Lituania me aktin e Ratifikimit të Protokollit për aderimin në Aleancën e NATO-s, vetëm e konfirmuan në vepër mbështetjen e sinqertë dhe pa rezervë që gjatë gjithë këtyre viteve të kaluara e kemi pasur.

Ai theksoi se gjitha institucionet shtetërore dhe të gjithë faktorët shoqërorë dhe sektori joqeveritar, angazhohen në mënyrë altruiste dhe kontribuojnë në drejtim të bërjes së reformave në të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe ky proces nuk është aspak i lehtë megjithatë, kemi qëllim të qartë para vetes dhe dimë se çka duam të arrijmë, respektivisht, duam ta përmbushim qëllimin tonë strategjik moti të miratuar, anëtarësimin e plotfuqishëm në NATO dhe BE.

“Duke i pasur parasysh pengesat mirë të njohura, u përqendruam në mënyrë maksimale në përmbylljen e çështjeve që e ngarkonin rrugëtimin tonë kah arritja e këtyre qëllimeve tona, nënshkruam Marrëveshje për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Republikën e Bullgarisë dhe e nënshkruam Marrëveshjen përfundimtare për zgjidhjen e kontestit me emrin me Republikën e Greqisë. Nuk ishte aspak lehtë mirëpo, arsyeja, vizioni për ardhmëri të sigurt dhe prosperuese ngadhënjyen, ngadhënjyen për të mirën e qytetarëve, për të mirën e shtetit a edhe të gjithë rajonit. Qytetarët tanë meritojnë të jenë qytetarë të lumtur, me të drejta dhe liri të barabarta, me vlera dhe standarde evropiane, me mundësi dhe shanse të njëjta. Dhe nuk ishim dhe nuk jemi vetëm në këtë rrugëtim. Çdoherë ishin pranë nesh miqtë dhe partnerët tanë të vërtetë dhe për këtë jemi mirënjohës pa masë”, tha Xhaferi.

Ai theksoi se përpjekjet tona nuk ishin të kota dhe tani jemi në fazën e ecjes së kilometrave të fundit para anëtarësimit të plotfuqishëm në NATO dhe hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ai shpreson se deri në fund të këtij viti ose fillimin e vitit 2020, protokolli për anëtarësimin e plotfuqishëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO do të ratifikohet në të gjitha 29 parlamentet nacionale dhe me këtë do të bëhemi anëtare e tridhjetë e plotfuqishme me të gjitha të drejtat dhe obligimet që i ka çdo anëtare e NATO-s.

Xhaferi paraprakisht pati takim me shefin e diplomacisë  të Lutanisë, Linas Linkeviçius, i cili e  përsëriti përkrahjen e Vilnusit për integrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe në BE.

Linkeviçius shprehu kënaqësi që Lituania është mes vendeve të para të NATO-s që e ratifikon Marrëveshjen, si dhe për ndihmën që si pjesë e Grupit Vilnuis  ia jep  vendit në procesin e integrimit në Aleancë.

E përshëndeti edhe Marrëveshjen historike të Prespës e cila  i hapi dyert  Shkupit drejt NATO-s dhe BE-së dhe e përforcoi stabilitetin dhe sigurinë e rajonit.

Shefi i diplomacisë lituaneze u shpreh se  vendi në qershor do të fillojë negociatat për anëtarësim në BE.

Lituania  është anëtarja e tetë e NATO-s që e ratifikoi Protokollin. E para këtë Protokoll e ratifikoi Greqia, pas saj Sllovenia, Shqipëria, Bullgaria, Kroacia dhe Mali i Zi, ndërsa dje edhe Rumania.

Vendet-anëtare të NATO-s më 6 shkurt e nënshkruan Protokollin për inkuadrimin e Maqedonisë së Veriut në Aleancë. Pas ratifikimit të Protokollit në parlamentet e të gjitha 29 vendeve anëtare të Aleancës, Maqedonia e Veriut edhe zyrtarisht do të bëhet anëtare e plotfuqishme e NATO-s.