Lista zgjedhore nga nesër në shqyrtim publik


Komisioni Shtetëror Zgjedhor nesër publikon listën zgjedhore. Nga ky institucion njoftojnë se nga dita e nesërme e deri më 23 gusht sa do të zgjasë shqyrtimi publik me çrast të gjithë qytetarët do të mund të parashtrojnë kërkesat apo ankesat e tyre. Këtë do të mund ta bëjnë përmes faqes së internetit ose zyrat e KSHZ-së. Megjithatë mbetet dilema nëse do të arrijë të pastrohet lista zgjedhore nga parregullsitë e shumta, disa prej të cilave tashmë i ka publikuar Alsat M.

KSHZ punon në azhurimin e vazhdueshëm të listës zgjedhore në bashkëpunim me të gjitha institucionet shtetërore, të cilat e ushqejnë listën zgjedhore me të dhëna. Ky shqyrtim publik është kohë për të a.q. kontrolle nga qytetarët të të dhënave të listës zgjedhore dhe pikërisht për këtë edhe ekziston ky shqyrtim publik në këtë periudhë prej 15 ditësh, që të mund edhe qytetarët të kryejnë një lloj të kontrollit të tyre mbi të dhënat dhe të na tregojnë, përmes kërkesave të tyre dhe dokumenteve të nevojshme se për ndonjë të dhënë duhet ndryshim, regjistrim ose fshirje”- deklaroi Lupka Guguçevska, KSHZ.

Nga KSHZ-ja gjithashtu njoftojnë se votimi në diasporë do të mbahet më 29 shtator, pra 1 ditë para votimit të parashikuar në nivel të brendshëm. KSHZ-ja do të hap vend-votime në të gjitha përfaqësitë diplomatiko-konsullore ku do të paraqiten së paku 10 votues.

 Në periudhën e njëjtë kohore, nga 9 deri më 23 gusht edhe qytetarët tanë që përkohësisht jetojnë ose punojnë në diasporë mund të paraqiten në përfaqësitë diplomatiko-konsullore. Paraqitjen mund ta dorëzojnë në mënyrë elektronike, përmes web-aplikacionit që KSHZ-ja do ta publikojë nesër, ose personalisht në përfaqësitë diplomatiko-konsullore”- tha Lupka Guguçevska, KSHZ.

Një ditë më parë u miratua edhe buxheti i KSHZ-së. Ashtu që, për zbatimin e referendumit KSHZ do të shpenzojë 169 milion denarë apo 2,9 milion euro. Ky buxhet është për 20% më i ulët se ai që kaloi në Kuvend./Alsat M/