Lionel Messi: E tmerrshme ta shohësh Neymar-in te Reali i Madridi


Edhe pse braziliani Neymar nuk ka luajtur prej muajsh për shkak të një dëmtimi, zërat për një largim të tij të mundshëm nga PSG-ja përsëriten në vazhdimësi.

Presidenti i skuadrës franceze ka premtuar se Neymar do të jetë në Paris dhe në sezonin e ardhshëm, por muajt e verës mund të kenë befasira.

Dhe një prej destinacioneve të mundshme është Reali i Madridit. Rivali kryesor dhe i përjetshëm i Barcelonës, bluzën e së cilës Neymar e veshi për vite.

Ylli i ekipit katalanas, Lionel Messi, që luajti për katër sezone së bashku me Neymar-in, ka deklaruar në një intervistë televizive se do të ishte e tmerrshme nëse braziliani do të shkonte te Reali.

“Do të qe e tmerrshme ta shihje Neymar-in te Reali i Madridit për shkak të gjithçkaje që ai nënkupton për Barcelonën.”

“Këtu (te Barcelona) ai ka fituar tituj të rëndësishëm,” ka thënë Messi, “dhe do të qe një goditje e fortë për çdokënd. Kjo do ta bënte Realin e Madridit më të mirë, dhe kur unë flas me të, ai e pranon këtë.”

Sipas shtypit spanjoll, Reali i Madridit është i gatshëm ta kthejë Neymar-in në Spanjë, e për këtë mund të sakrifikojë uellsianin Gareth Bale.