Ligji për përdorimin e gjuhëve, Zyberi:Ligji ka kaluar fazat, pason vetëm votimi


Keqpërdorim eklatant i rregullores së punës së parlamentit me qëllim që të pengohet hyrja në fuqi e këtij ligji. Kështu e sqaron eksperti juridik Naser Zyberi parashtrimin e mbi 35 mijë amendamenteve nga opozita maqedonase ndaj ligjit të gjuhëve i cili është kthyer sërish në kuvend pasiqë presidenti refuzoi ta dekretojë të njejtin.

Sipas tij amendamentet nuk kanë të bëjnë me përmbajtjen, dhe aspak me përmirësimin e tekstit. Ndërkaq janë në kundërshtim me procedurat pasiqë fazat për amendamentim kanë kaluar thotë ai.

“Ushtrimi i 35 mijë amendamenteve në një tekst ligjorë prej 22-23 nenesh flet se idea nuk është që të përmirësohet përmbajtja e tekstit të ligjit por të bllokohet dhe të pamundësohet hypja në fuqi e të njejtit këtë mundësi deputetët e VMRO-DPMNE-së e kanë pasur gjatë fazave të sjelljes së këtij ligji dhe këtë të drejtë ata nuk e kanë ushtruar, tani bëjnë vetëm sabotim të punës së kuvendit me qëllim që të pengohet hypja në fuqi e një akti të miratuar konform kushtetutës dhe rregullores” – tha eksperti juridik, Naser Zyberi.

Pas përfundimit të procedurave rreth miratimit të një ligji qoftë edhe nëse nuk e ka dekretuar presidenti kuvendit nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të deklarohet lidhur me vendimin e presidentit sqaron Zyberi.

“Procedura parlamentare për aprovimin e një ligji nuk është debat për bindjen e opinionit për arsyeshmërinë e sjelljes së ligjit. Arsyeshmëria e sjelljes së një ligji bëhet në leximin e parë parlamentarë të nj ligji, në lexim të dytë bëhen intervenime me amendamente ndërsa votimi i tretë është vetëm akt solemn do të thotë pranon vendimin e presidentit për ta refuzu dekretimin ose e refuzon të njejtin. Në qoftë se qëndron me 61 vota pas propozimit që ka aprovu do të thotë se presidentit nuk i është pranuar qëndrimi dhe ligji detyrimisht hyp në fuqi respektivisht kushtetuta e detyron presidentin që në atë rast ta nënshkruaj dekretin për hypjen në fuqi” – u shpreh eksperti juridik, Naser Zyberi.

Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe u miratua me konsensus mes koalicionit të kryesuar nga LSDM dhe të gjitha partive shqiptare. /TVM2