Ligji për përdorimin e gjuhëve të hënën para deputetëve


Ligji për përdorimin e gjuhëve pritet të hënën të vendoset në seancë kuvendore. Për këtë është arritur marrëveshje në koordinimin e sotëm të kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi me grupet e deputetëve, konfirmuan për MIA-n nga Kuvendi i Maqedonisë.

Në koordinimin nuk morën pjesë deputetët e VMRO-DPMNE-së.

Partia opozitare sot kërkoi që Qeveria ta tërheq Ligjin, duke e cilësuar si “jokushtetues”.

“Kërkojmë të formohen grupe punuese nga përfaqësues të të gjitha grupeve të deputetëve në Kuvend, opinioni ekspert dhe profesional dhe ata të punojnë në konfirmimin e nevojës për bartjen e ligjit të tillë dhe për shmangien e elementeve jokushtetuese të ligjit për gjuhët”, tha sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së Igor Janushev në konferencë për shtyp.

Pasdite reagoi Qeveria, me qëndrim se Ligji për përdorimin e gjuhëve është në pajtim me Kushtetutën, se është votuar në procedurë demokratike, parlamentare, si dhe se është në interes të të gjithë qytetarëve dhe në kuadër të konceptit një shoqëri e barabartë për të gjithë.

“VMRO-DPMNE-ja ka pasur mundësi të merr pjesë në procesin e bartjes së këtij ligji në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, por refuzoi ta bëjë këtë, me çka demonstroi papërgjegjësi politike. Duke e marrë parasysh se presidenti Ivanov nuk e ka nënshkruar dekretin, Ligji për përdorimin e gjuhëve, sërish do të gjendet në procedurë të Kuvendit, me ç’rast VMRO-DPMNE-ja do të ketë mundësi në mënyrë aktive të intervenojë përmes debatit të amandamenteve”, kumtuan nga Qeveria.

Ligji u miratua më 11 janar, ndërsa presidenti Gjorge Ivanov nuk e nënshkroi dekretin. Kryetari i Kuvendit Xhaferi, sipas Kushtetutës dhe Rregullores, është i obliguar në afat prej një muaji, më së voni deri më 11 shkurt, ta vendos Ligjin në seancë plenare. Që të miratohet, për Ligjin duhet të votojnë 61 deputetë. (mia.mk)