Ligji i “shqipes” në harresë

Tejkalimi i ngërçit procedural dhe kushtetues rreth shpalljes së ligjit për përdorimin e gjuhëve në gazetën zyrtare është lënë krejtësisht në heshtje.

Asnjë hap nuk është ndërmarrë gjatë ditëve të kaluara, ndërsa nuk ka as edhe ndonjë sinjal se si do të tejkalohet kjo situatë.

Heshtje mbizotëron edhe në Kuvend që nga brifingu i fundit kur kryeparlamentari Talat Xhaferi bëri me dije para gazetarëve se nuk mendon që të nënshkruajë dekretin në vend të presidentit Ivanov.

Xhaferi ishte shprehur para gazetarëve se është edhe kundër idesë për të dërguar iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar vendimin e presidentit Ivanov për të mos dekretuar ligjin.

Këtë zgjidhje e pati paralajmëruar vetë kryeministri Zoran Zaev, por nga deklarata e dhënë javë më parë nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret në këtë drejtim.

Zaev tha se kjo ankesë në Gjykatën Kushtetuese dërgohet me qëllim që të gjindet zgjidhje e përhershme edhe në situatat eventuale që mund të paraqiten në të ardhmen. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve aktualisht ka mbetur pezull pasi Kuvendi e miratoi me shumicë edhe në lexim të tretë, ndërsa presidenti Gjorgji Ivanov edhe pse më Kushtetutë ishte i obliguar ta dekretojë, vendosi të mos nënshkruajë dekretin.

Ai kontestoi përmbajtjen e ligjit duke thënë se është anti kushtetues, si dhe procedurën parlamentare në të cilën u miratua ligji duke anashkaluar amendamentet e VMRO-DPMNE-së. Kjo parti dërgoi në Kuvend 35 mijë amendamente duke u bazuar në vërejtjet e para që kishte presidenti Gjorgji Ivanov.

Por, kryeparlamentari Talat Xhaferi anashkaloi amendamentet duke thënë se vërejtjet e presidentit janë të pabaza pasi ai nuk ka të drejtë të vlerësojë kushtetueshmërinë e ligjit, por obligohet që vetëm ta dekretojë atë nëse merr shumicën e nevojshme parlamentare.

Me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve parashihet avancimi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, por edhe gjuhëve të tjera të cilat flitet nga të paktën 20 për qind e qytetarëve brenda një komunë ose në nivel shteti.