Ligji i gjuhëve, salla ende bosh, deputet në koordinim te Xhaferi


Seanca e 32-të parlamentare, e cila në rend dite kishte përdorimin e gjuhëve, ende nuk ka filluar edhe pse ishte paralajmëruar për në orën 11:00. Shkak i kësaj vonese është bërë kërkesa e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi i cili ka thirrur deputetët e pozitës dhe opozitës për koordinim, duke parë ato mijëra amendamente të sjella në kuvend nga kjo e fundit.

Kuvendi i Maqedonisë sot në orën 11:00 duhet të fillojë seancën e 32-të, në të cilën në rend dite është ligji për përdorimin e gjuhëve. Ky ligj vjen në lexim të tretë pasi kreu i shtetit Gjorgje Ivanov nuk e firmosi atë dhe e ktheu në Kuvend me shumë vërejtje. Seancën për këtë ligj kryetari i Kuvendit , Talat Xhaferi e caktoi në afat të paraparë me ligj, ndërsa VMRO-DPMNE-ja për këtë ligj ka dorëzuar në Kuvend plot 32 mijë amendamente. Sipas Rregullores së punës së Kuvendit, amendamentet duhet të jenë në pajtim me vërejtjet e presidentit. Ndërsa ato do të rishikohen vetëm në seancë plenare.