Ligji i gjuhëve, pas një muaji sot sërish del para deputetëve të Maqedonisë


Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi për sot pasdite ka caktuar seancë për vazhdimin e seancës së 32-të në rend dite të së cilës është ligji për përdorimin e gjuhëve, njofton Portalb.mk.

Megjithëse se ajo sot do të jetë në seancë, për të njëjtën ende janë aktuale 35,569 amendamentet të cilat u propozuan nga opozitarja maqedonase, VMRO-DPMNE nën arsyetimin që e njëjta të plotësohet dhe të reflektojë barazi sociale- amendamentet të cilat bllokuan Kuvendin e Maqedonisë për më shumë se një muaj.

Sipas rregullores së Kuvendit, për secilin amendamentet, propozuesi, në këtë rast VMRO-DPMNE-ja ka të drejtë që të shtjellojë të njëjtin 3 minuta, që në total nëse diskutohen të gjitha amendamentet do të duhen 105.000 minuta. Matematika optimiste thotë se për një orë mund të shtjellohen 30 amendamentet ose 240 në ditë.

Megjithatë, ekspertët thonë se që të mos bllokohet Kuvendi dhe nga ana tjetër të mund të shqyrtohen amendamentet e ligjit të përdorimit të gjuhëve mundet që seanca plenare të ndahet në dy pjesë. Në pjesën e parë të diskutohet për ligjin për përdorimin e gjuhëve, në pjesën tjetër të miratohen ligjet e rëndësishme për perspektivën euroatlantike të Maqedonisë.

Në lidhje me këtë, të dielën lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski deklaroi ligji i gjuhëve është antikushtetues dhe i pazbatueshëm. Deklaratë kjo e thënë edhe më herët.

“VMRO-DPMNE-ja i mban qëndrimet e saja që i ka thënë disa herë, se ai është antikushtetues dhe i pazbatueshëm dhe për të njëjtin duhet të respektohet Rregullorja dhe ligji”, tha Mickoski.

Në lidhje me deklaratën e Mickoskit, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev deklaroi se është i papranueshëm propozimi i Mickoskit për vlerësim të kushtetueshmërisë së ligjit.

“Kërkova të gjendet zgjidhje për mijërat amendamentet e ligjit të gjuhëve, por ishte i papranueshëm propozimi i Mickoskit për formimin e grupeve punuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit. Për atë është kompetente Gjykata Kushtetuese”, tha Zaev.

Përndryshe, mbi 35 mijë amendamentet e propozuara nga VMRO-DPMNE-ja për ligjin e gjuhëve, e kanë paralizuar punën e Kuvendit. Edhe vetë kryeparlamentari Xhaferi, të njëjtat i ka cilësuar si bllokadë të Kuvendit të Maqedonisë, ndërkaq nga ana tjetër VMRO-DPMNE thirret në atë se ato kanë për synim të arrijnë barazi sociale dhe janë në pajtueshmëri me vërejtjet e kryetarit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.