Ligji i gjuhëve, ngjarje e madhe për Maqedoninë europiane


Pas miratimit të Ligjit për gjuhët nga Parlamenti i Maqedonisë ka pasur reagime të shumta. Përderisa në kampusin politik shqiptar në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri dhe gjetiu po karakterizohej si një ngjarje e madhe për shqiptarët, një grupacion nacionalist maqedonas ka kundërshtuar miratimin e ligjit të gjuhëve, me theks të veçantë avancimin e gjuhës shqipe, shkruan Zhurnal.

Por, analist politik thonë se miratimi i ligjit të gjuhëve është një ngjarje e madhe për Maqedoninë europiane.

“Kjo është një ngjarje e madhe për Maqedoninë europiane. Votimi, tregoi se politika shqiptare në Maqedoni ka qenë për barazinë mes komuniteteve në Maqedoni, por se një barazi e tillë ishte e pamundur në rrethanat e një pushteti me mendësi mesjetare dhe autoritare”, thotë për Zhurnal, Fadil Lepaja, analist.

Nga ana tjetër, historiani Arben Llalla thekson se miratimi i ligjit të gjuhës shqipe është thjeshtë marrevëshja e Ohrit që duhej të realizohej që më vitin 2004.

“Miratimi i ligjit të gjuhës shqipe është thjeshtë marrevëshja e Ohrit që duhej të realizohej që më vitin 2004. Asgjë skanë fituar apo do të përfitojnë shqiptarët, përkundrazi ky Ligj i kategorizon si pakicë kombëtare paralel me arbereshët në Itali. Shqiptarët janë varfëruar dhe po e braktisin Maqedoninë, qeveria duhet të punojë për vende të reja pune”, theksoi për Zhurnal, Arben Llalla, historian.