Ligji i gjuhëve, as këtë javë nuk shkon në Kuvend


Kuvendi edhe gjatë kësaj jave nuk do të mbajë seancën për shqyrtimin e mbi 35 mijë amendamenteve të VMRO-DPMNE-së ndaj Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Koordinimi i sotëm me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhafer nuk ka sjell asgjë të re, sa kaq nuk është përcaktuar asnjë datë përveç se grupet parlamentare janë marrë vesh që në fillim të javës së ardhshme, në koordinimin e parë me të parin e Kuvendit, të caktohet data dhe strategjia për shqyrtimin e amendamenteve. Burime nga shumica parlamentare bëjnë të ditur se kjo javë nuk parasheh asnjë seancë Parlamentare për shkak të vizitave të deputetëve dhe të Xhaferit në Britaninë e Madhe. Takimet në Britani nuk do të përfshinë strategjinë për tejkalimin e bllokadave në Kuvend, por thjeshtë çështjet buxhetore. Ndërkohë grupet punuese të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së të formuara me qëllim arritjen e konsensusit kombëtar për ligjet reformuese, akoma mbajnë të fshehur agjendën. Burime brenda grupit negociator të VMRO-DPMNE-së nuk përjashtojnë mundësinë që deri në fund të javës të shpaloset edhe agjenda.

Nga ana tjetër, burime nga deputetët që përbëjnë grupin negociator të socialdemokratëve njoftojnë se prioritet do të ketë Ligji për dëshmitarët e mbrojtur, propozim-ndryshimet e të cilit do t’i përfaqësojë sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Oliver Spasovski. Në mesin e këtyre ligjeve do të jenë edhe Ligji për ndjekje të komunikimeve, Ligji për Agjencinë Teknike-Operative, Ligjin për informatorët, Ligji për KSHZ-në dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Siç mësohet, opozita do të propozojë edhe ndryshimin e procedurës për zgjedhjen e Kryeprokurorit publik, respektivisht zgjedhjen e tij me 2/3 e votave dhe me Badenter, gjë që sipas opozitës do të impononte emërim me konsensus dhe kuadër të pavarur. Për miratimin e ligjeve ose ndryshimet në ligjet e lartpërmendura nevojiten 2/3 e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Nuk përjashtohet mundësia që brenda agjendës së ligjeve të gjendet edhe Ligji për përdorimin e gjuhëve, për të cilin opozita maqedonase kërkon që të kthehet nga fillimi në procedurë parlamentare.

LSDM-ja deri më tani nuk ka shprehur gatishmëri të mundshme për një hap të tillë, por partneri i koalicionit ditë më parë komentoi zërat për rikthim të mundshëm të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Sipas BDI-së, ligji është në fazën e pandryshueshme dhe se i njëjti u votua dhe miratua në Kuvend me shumicë votash.