Ligji i gjuhëve, akoma në labirintet e Kuvendit


Kuvendi akoma është duke përkthyer mbi 35 mijë amendamentet e VMRO-DPMNE-së për ligjin e gjuhëve. Derisa përkthimi i amendamenteve vazhdon, shumica parlamentare ka tre strategji për votimin e ligjit por të cilat nuk i bën publike. Nga LSDM thonë se çfarëdo hapi që do të ndërmerret do të jetë në korniza të Kushtetutës dhe Rregullore së Kuvendit. Nga ana tjetër, BDI duke mos komentuar shpreh optimizëm se Ligji për përdorimin e gjuhëve së shpejti do të miratohet. Njëri ndër opsionet mbetet shfrytëzimi i nenit 153, paragrafi 4 i Rregullores së Kuvendit. Por ky nen vlen për amendamentet që propozohen ndaj dispozitave ligjore në lexim të dytë. Sipas këtij neni, Kuvendi mund të mbajë një diskutim për nen, pavarësisht numrit të amendamenteve, por të votojë veç e veç për çdo amendament.

Neni 153, paragrafi 4 i Rregullores së Kuvendit
“Nëse për të njëjtën dispozitë janë paraqitur dy apo më shumë amendamente me përmbajtje të ngjashme, me propozim të Kryetari, trupi punues mund të vendosë që për amendamentet të mbahet diskutim i përbashkët, ndërsa për çdo amendament të votohet ndaras”

Të hënën Kuvendi edhe pse e kishte vendosur në rend dite leximin e tretë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve nuk arriti të fillojë shqyrtimin e tyre. E para pasi pothuajse të gjithë deputetët e VMRO-DPMNE-së kërkuan ndryshimin rendit të ditës, ndërkaq arsye e dyte ishte mos përkthimi i amendamenteve në gjuhën shqipe. Në lidhje me konstatimet e Presidentit Gjorge Ivanov në arsyetimin e tij ndaj mos dekretimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, partia e Mickoskit propozoi 35569 amendamente, prej tyre 33834 vetëm për nenin 22, respektivisht nenin ku parashikon gjoba dhe dënime për institucionet që nuk zbatojnë Ligjin e gjuhëve. Referuar numrave, Ligji për përdorimin e gjuhëve përbëhet nga rreth 4000 fjalë. Matematikisht, VMRO-DPMNE-ja ka propozuar mbi 8800 amendamente për çdo fjalë të ligjit. Më 11 janar Kuvend votoi me 69 vota pro Ligjin për përdorimin e gjuhëve, ndërsa më 17 janar, Ivanov kumtoi mos-dekretimin e tij duke e cilësuar si ligj jo kushtetues dhe cenues të karakterit unitar të vendit. /Alsat-M