Lëvizja Besa – Tetovë: E mbështetim Nexhbedin Kahremanin


Anëtarët e Kryesisë Qendrore dhe të Këshillit Qendror të Lëvizjes BESA si dhe përfaqësues të strukturave të degës dhe nëndegëve të BESËS në Tetovë, nëpërmjet një konference për shtyp i kanë dhënë mbështetjet vendimit të Këshillit Qendror të Lëvizjes BESA për caktimin e Nexhbedin Kahramanit për ushtrues detyre kryetar i Lëvizjes BESA.
“Dr. Kahramani e gëzon mbështetjen e plotë të të gjithë strukturave të Lëvizjes BESA dhe më gjerë, por edhe të tetovarëve e të tjerëve, madje edhe përtej dallimeve politike. Prandaj ne dëshirojmë të falënderojmë Këshillin Qendror që në çastet e organizimit të brendshëm në Lëvizjen BESA, e zgjodhi Dr. Kahremanin për këtë detyrë, sepse ai është një figurë që bashkon dhe nuk përçan, si dhe një personalitet i nderuar, për të cilin jemi të bindur se me urtësi dhe qasje pozitive që e ka mund të drejtojë me sukses Lëvizjen BESA deri në kongresin e saj”, kanë thënë nga Lëvizja BESA- Tetovë, raporton SHENJA.
Ata janë drejtuar edhe kolegëve tjerë në Lëvizjen BESA me të cilët, thonë ata mund të kenë dallime konceputale por “se nuk kemi fishekë për askënd prej tyre”.
“Për ne mospajtimi është vetëm në rrafshin e debatit të brendshëm demokratik, që është normal për organizatat e mëdha, siç është BESA, dhe ne jemi të bindur se gjithë kjo do të tejkalohet në mënyrën më të mirë në Kongresin e parë të Lëvizjes. Ne në Lëvizjen BESA nuk i ndajmë njerëzit nga cili qytet janë, por çfarë vlera kanë. Lokalizëm në mesin tonë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë vend asnjëherë. Sepse BESA është mbi të gjithë dhe askush në BESË nuk është i pazëvendësueshëm”, thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA- Tetovë.