Lëvizja BESA: Shëndetësia në Maqedonia me sëmundje kronike


Lëvizja Besa nëpërmjet kumtesës kritikon ashpër gjendjen e sistemit shëndetësor në Maqedoni, më saktësisht mënyrën se si Qeveria po ballafaqohet me këtë problematikë. Në vijim ju sjellim kumtesën e plotë të Lëvizjes Besa:

“Të nderuar qytetarë, sot shënohet  Dita Botërore e Shëndetësisë. Kjo na e përkujton ditën kur para 70 viteve u themelua Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe u miratua kushtetuta e saj. Motoja që e karakterizon këtë përvjetor jubilar është “Shëndeti universal – shëndet për të gjithë dhe gjithkund”.

Kjo kryefjalë e OBSH-së ka për qëllim që secilës qenie njerëzore dhe secilit komunitet t’i sigurohet qasje në shërbimin shëndetësor, i cili – pos tjerash – duhet të jetë cilësor, efektiv, i sigurt dhe i përballueshëm për të gjithë. Me këtë rast ne si parti politike, pra si Lëvizje BESA, por edhe në cilësinë e mjekut, jam këtu që ta shtrojmë çështjen se ku qëndron sistemi shëndetësor i Republikës së Maqedonisë përkitazi me parimet dhe standardet për të cilat bën thirrje shëndetësia botërore? Për fat të keq, të dhënat janë shqetësuese: vështirësitë me të cilat ballafaqohen qytetarët për çdo ditë gjatë marrjes së shërbimeve shëndetësore dhe të dhënat statistikore për shkallën e lartë të vdekshmërisë së foshnjave janë tregues të gjendjes alarmuese që mbretëron në shëndetësinë e vendit.

Në të vërtetë, për BESËN është shokues fakti se shkalla e vdekshmërisë te foshnjat, si tregues për nivelin e shëndetësisë në një shtet, e kalon dyfishin e mesatares në Evropë. Pastaj mungesa e barnave të nevojshme për pacientët kronikë, madje prezenca e barnave të falsifikuara, që sipas disa hulumtimeve dyshohet të jenë afër 40% nga barnat e importuara, por edhe kushtet e mjerueshme infrastrukturore në spitalet tona, si edhe pritjet e gjata me muaj të tërë nga pacientët për të marrë një shërbim shëndetësor, dëshmojnë se shëndetësia në Maqedoni vazhdon të jetë jocilësore dhe joefektive, madje lirisht mund të konstatojmë se ajo gjendet në një fazë kritike e kronike. Në anën tjetër, për shkak të kushteve të pafavorshme për punë, shqetësim më vete mbetet edhe largimi i mjekëve nga vendi, që është trend në rritje, gjë që edhe më shumë e dobëson sistemin publik shëndetësor dhe e bën edhe më të pasigurt shëndetin e qytetarëve. Nisur nga kjo, Lëvizja BESA konsideron se – përkundër mburrjeve dhe PR-it të bukur e të shtrenjtë që e bëjnë pushtetarët – shëndeti i njerëzve duhet të jetë seriozisht prioriteti kryesor i autoriteteve shtetërore.

Prandaj BESA i bën thirrje qeverisë dhe institucioneve shëndetësore që urgjentisht t’i ndërmarrin masat e duhura për rehabilitimin e sistemit shëndetësor, në mënyrë që qytetarët ta realizojnë të drejtën për shërbim shëndetësor cilësor, efektiv dhe të sigurt. Pa u kuruar sistemi shëndetësor nga këto sëmundje, tashmë kronike, nuk mund të presim të kemi qytetarë të shëndetshëm.”