Lëvizja BESA: PSP t’i merr parasysh rekomandimet e OSBE-së

Lëvizja BESA me kryetar Bilall Kasamin, apelon deri te Prokuroria Speciale Publike (PSP), që të merr parasysh rekomandimet e OSBE-së për miratimin e një qasje më transparente, duke mbrojtur në të njëjtën kohë edhe konfidencialitetin e hetimeve të procedurave deri më tani, lidhur me aferën e përgjimeve nga të cilat u zbuluan shumë vepra penale, kryesisht vepra penale keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Ne si Lëvizje BESA përkrahim rekomandimet e Misionit të OSBE-së, që të bëhet përpjekje më e madhe për evitimin e vonesave të panevojshme, me qëllim që të evitohet skadimi i afatit të vjetërsisë. Ne po ashtu shprehim shqetësimet tona, për mungesën e dukshme të hetimeve dhe ndjekjeve penale në lidhje me veprimet specifike dhe individët e përmendur në përgjime. Në këtë drejtim apelojmë edhe deri te pushteti legjislativ dhe ekzekutiv, kryesisht deri te qeveria e Republikës së Maqedonisë të trajtojë kufizimet ekzistuese në kornizën ligjore që mund t’i parandalojnë hetimet e PSP-së dhe të sigurohet vazhdimësi afatgjate për PSP-në. Kujtojmë që kjo situatë i ka zhgënjyer qytetarët e Republikës së Maqedonisë, me çka ka zvogëluar edhe besueshmërinë dhe mbështetjen e popullatës për PSP-në”, thonë nga Lëvizja BESA.