Lëvizja BESA: Kërcënimet ruse janë rrezik për të ardhmen e Maqedonisë


Deklarata me tone kërcënuese për të ardhmen e vendit dhe rajonit nga ana e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, që vjen në kohën kur Republika e Maqedonisë ndodhet në një fazë shumë të rëndësishme, madje edhe historike, ku pritet të zgjidhet kontesti i emrit me Greqinë dhe anëtarësimi i vendit në NATO, për Lëvizjen BESA është një prononcim që nuk i shërben aspak as stabilitetit rajonal e, aq më pak, marrëdhënieve të shëndosha ndërmjet dy shteteve, vlerëson Lëvizja BESA.

“BESA konsideron se anëtarësimi i Maqedonisë në strukturat euro-atlantike është përcaktim strategjik i shtetit tonë dhe konsensus i gjerë shoqërorë, andaj çdo deklaratë kërcënuese ndaj këtij përcaktimi është edhe shkelje e vullnetit të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë për të jetuar në familjen evropiane, duke u mishëruar me vlerat demokratike dhe të drejtat universale të njeriut. Në të vërtetë, në këtë proces partneriteti dhe miqësia e shqiptarëve me SHBA-të dhe BE-në janë garantues i fuqishëm i të ardhmes evropiane të Maqedonisë”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

Lëvizja BESA mbetet në përcaktimin që Republika e Maqedonisë të mbetet e përkushtuar në ndërtimin e marrëdhënieve të shëndosha me shtetet fqinje, por edhe me shtetet aleate, gjithmonë mbi raportin e interesit të përbashkët dhe interesit të qytetarëve tanë.