Lëvizja BESA: 1 Maji në Maqedoni shënon papunësinë dhe varfërinë


Edhe 1 Maji i vitit 2018, për Lëvizjen BESA, e gjen Maqedoninë në gjendjen ku shteti vazhdon të jetë punëdhënësi më i madh, duke e dëmtuar kështu skajshmërisht biznesin privat, duke i dekurajuar të rinjtë në ndërmarrjen e iniciativave sipërmarrëse dhe duke e dekurajuar punësimin e tyre në këtë sektor. Në kohën kur vendi ynë shënon rekordin e papunësisë dhe rrogat më të ulëta në rajon, implementimi i tatimit progresiv, që është paralajmëruar nga qeveria, vetëm se do ta rriste papunësinë e të rinjve, e cila në Maqedoni është sa dyfishi i mesatares evropiane, ndërsa – në anën tjetër – do ta stimulonte emigrimin e kësaj kategorie të qytetarëve tanë.

Edhe mungesa e shtetit ligjor në vend të ekonomisë së tregut ka krijuar një mjedis të kontaminuar ekonomik, i cili më së shumti shkon në dëm të punëtorëve. Për t’u theksuar është edhe shkalla e lartë e vdekshmërisë së punëtorëve në vendin e punës, që flet shumë për kushtet në të cilat punojnë shumica e punëtorëve. Kjo gjendje, nga njëra anë, i vendos punëtorët para eksploatimit, ndërsa – nga ana tjetër – shteti ushtron mbi ata presion fiskal, duke provuar rritjen e tatimeve.

Prandaj, Lëvizja BESA gjykon se krijimi i kushteve dhe rrethanave lehtësuese, ku ata që janë të aftë dhe të gjindshëm stimulohen të krijojnë inovacione dhe të ndërmarrin iniciativa sipërmarrëse, është baza më e shëndoshë që mund të na shpie drejt suksesit si shoqëri dhe si shtet. Në këtë drejtim, siç e kemi thënë edhe më parë, detektimi i sipërmarrësve tërinj, tatimet e ulëta, miratimi i lehtësimeve dhe masave stimuluese, si dhe vënia në dispozicion e mjeteve financiare dhe kredive të lira, përpos që do të nxi ste uljen e papunësisë dhe zhvillimin ekonomik, do të krijonte edhe ambient që të rinjtë të qëndrojnë në vatrat e tyre. Kjo, veç tjerash, do ta ndihmonte edhe ruajtjen e institucionit të familjes.

Gjykuar sipas kësaj, Lëvizja BESA konkludon se 1 Maji në vend që të jetë ditë kremtimi për punëtorët, vazhdon të jetë ditë kur ata i llogarisin dëmet dhe dëmtimet që ua shkaktojnë politikat shtetërore mbi punën.