Lënda “TNT”: Avokati Tasevski dënohet me një mijë euro


Seanca e sotme për lëndën “TNT” për rrënimin e objektit “Kosmos” të biznesmenit Fijat Canoski, është shtyrë për më 10 shtator, pasi avokati Boro Tasevski, që mbron të akuzuarin ish-kryetarin e Komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski, nuk u paraqit në gjykatë.

Gjykatësi Ognen Stavrev vendosi që për këtë veprim avokatin Boro Tasevski ta dënojmë me 1000 euro të holla, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Menjëherë pas fillimit të seancës gjykatësi Stavrev dha pauzë prej gjysmë ore, me qëllim që Trajkovski ta thërrasë avokatin e tij ose të gjejë avokat tjetër.

Pas pauzës Trajkovski tha se ka kontaktuar me Tasevskin dhe se ai nuk mund të jetë prezent në seancë, pasi është i angazhuar për mbrojtjen e ish-ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, e cila gjithashtu sot është dashur të paraqitet në gjykatë për shkak të gjykimit në lëndën “Tanku”.

Gjykatësi Stavrev vendosi që seanca për “TNT” të vazhdojë më 10 shtator dhe të dënojë me 1 mijë euro avokatin Boro Tasevski.

Përndryshe, lënd “TNT” ka të bëjë me rrënimin e objektit “Kosmos” të biznesmenit Fijat Canoski, ndërsa të akuzuar janë ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski dhe ish-kryetari i Gazi Babës, Toni Trajkovski.