Kuvendi do të votojë për ligjin e gjuhëve dhe për gjykatësit kushtetues


Në Kuvendin e Maqedonisë për sot është caktuar vazhdim i pesë seancave kuvendore, ndërsa në të parën prej tyre, në të 27-ën duhet të votohet për Propozim ligjin për përdorimin e gjuhëve, në lexim të dytë dhe Propozimi për zgjedhjen e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese.

Për këto propozime pardje në shtëpinë ligjdhënëse përfundoi shqyrtimi pa debat, por pasi nuk kishte kuorum kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi votimin e ricaktoi për sot. Vendimet për ligjin për gjuhët dhe për gjykatësit kushtetues sillen me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, gjegjësisht nevojiten 61 vota “pro”. Xhaferi pardje mbrëma në një emision televiziv tha se pret që sot të ketë kuorum për votim.

Zgjedhja e Darko Kostadinovskit dhe Osman Kadriut për gjykatës kushtetues për të cilën duhet të votohet në seancën e sotme është me propozim të presidentit Gjorge Ivanov. Kostadinovski dhe Kadriu duhet të vijnë në vendet e gjykatëseve Natasha Gaber Damjnanovska dhe Gëzime Starovës, të cilave mandati u përfundoi në tetor të këtij viti.

Debati për ligjin e gjuhëve në Kuvend filloi më pesë shtator të vitit të kaluar në Komisionin kuvendor për Çështje Evropiane, ndërsa shumica parlamentare e aprovoi nevojën për miratimin e tij më 15-të nëntor të vitit të kaluar.

Siç theksohet në sqarimin e Ministrisë së Drejtësisë, me ligjin parashikohet në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, institucionet dhe organizatat, komisionet, personat juridik të cilët ushtrojnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet e tjera, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj të jetë edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabetin e saj, (gjuha shqipe).

Mendim për përdorimin e gjuhës shqipe në paratë dhe uniformat, me kërkesë të Qeverisë duhet të japë Komisioni i Venecias.

Në rend dite të seancës së 27-të janë edhe propozim ligjet për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve për marrëdhënie pune, për realizimin e të drejtës së pensionit, për punëtorët në miniera, për realizimin e barazisë të gjuhëve zyrtare dhe shkrimit të tyre në Republikën e Maqedonisë, për gjueti, të gjitha në lexim të parë. Kuvendi duhet të prononcohet edhe për kërkesat për interpretimin autentik dhe propozim vendimet për statutet.

Sipas paralajmërimit, Kuvendi sot duhet të punojë edhe për pikat e tjera prej seancës së 22-të, 11-të, 13-të dhe 15-të./mia