Kuvend, zhbllokimi i ligjit, me marrëveshje politike


Rrugëdalja nga bllokimi i punimeve në Parlament, posaçërisht zhbllokimi i miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve pritet të ndodh përmes marrëveshjes politike…..
Parashtrimi i mijëra amendamenteve nga ana e grupit parlamentar të koalicionit të kryesuar nga VMRO DPMNE nuk ka për qëllim përmirësimin e tekstit të ligjit, por motiv politik për të pamundësuar miratimin e tij, prandaj kryeparlamentari Talat Xhaferi, thotë se problemi është politik dhe duhet zgjidhur me mjete politike. Sipas tij, fillimi i shqyrtimit të amendamenteve nuk është zgjidhje, pasi kështu do të bllokohej puna e Kuvendit.

Prandaj, vazhdon komunikimi i përhershëm me parashtruesit e amendamenteve, përkatësisht me VMRO DPMNE-në, dhe, sipas tij, palët janë afër zgjidhjes. Por, mbetet enigmë se cili mund të ishte kompromisi i mundshëm kur palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta. VMRO DPMNE kërkon tërheqjen e ligjit, ndërsa shumica parlamentare kërkon tërheqjen e amendamenteve dhe miratimin e ligjit në lexim të tretë, pas refuzimit të presidentit për ta dekretuar.

Pavarësisht bojkotit të punimve të Kuvendit nga ana e VMRODPMNE-së, kryeparlamentari, Xhaferi është në dialog të vazhdueshëm me koordinatorin dhe grupin parlamentar të VMRO-së edhe për ligjet që duhet të miratohen me 2/3 e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve si dhe për projekt/rregulloren e re të Kuvendit dhe ligjin për dëshmitarë të mbrojtur.

Kthimi i opozitës në Kuvend dhe efikasiteti i Kuvendit, për momentin, varren nga azhuriteti i Gjykatës penale, pasi argumenti i vetëm për bojkotimin e punimeve të Kuvendit nga ana e opozitës është paraburgimi i deputetëve të koalicionit të kryesuar nga VMRO DPMNE. Sa më shpejtë caktohet fajësia apo pafajësia e tyre po aq shpejtë po të duhet të kthehet opozita në punimet e Kuvendit.