Kush qëndron pas protestave kundër marrëveshjes për emrin?!


Zyrtarisht nuk ka subjekt apo person fizik që qëndron pas protestave kundër marrëveshjes për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë. Derisa policia dhe Prokuroria po hetojnë, ekspertët hedhin dyshimet mbi mundësinë e përfshirjes së faktorëve të jashtëm. Ish eprori i policisë, Lubomir Gjurçevski, duke u nisur nga gjendja faktike në protestë, nuk përjashton mundësinë e implikimit ruso-sërb në protesta.

Nuk mund ta vërtetoj por edhe nuk përjashtohet që prapa këtyre protestave qëndron ndonjë faktor i jashtëm të cilët kanë aspirata të caktuara si në Maqedoni ashtu edhe në të gjithë Ballkanin. Në këtë drejtim, policia nuk guxon ta largojë vëmendjen nga ky aspekt sepse interesat e huaja në Ballkan janë të mëdha si të atyre perëndimore si të atyre lindore – tha Lubomir Gjurçevski, Ish epror i policisë.

Gjurçevski vlerëson se policia mbrëmë ka zbatuar direktivat ligjore, pasi që sipas tij pas vlerësimeve në terren është konstatuar se nevojitet ndërhyrja policore.

Policia e mbrëmshme nuk ishte një polici tjetër, ishte ajo e njëjta e cila më 27 prill ishte penguar që të bëj punën e saj. Policia mbrëmë vërtetoi se është e gatshme dhe e përgatitur për t’i mbrojtur institucionet për të cilat Kushtetua referon nivel të lartë të sigurisë për çfarëdo çmimi qoftë edhe ajo më e rënda, përdorimi i armëve të zjarrit. Policia duhet ta dijë cilat mjete, me çfarë intensiteti dhe force do të përdoren për të anashkaluar sulmet e mundshme ndaj objekteve institucionale – theksoi Lubomir Gjurçevski, Ish epror i policisë.

Ministria e Brendshme njofton se Shtabi Operativ është ne funksion. Duke mos dashur të japin detaje për masat parandaluese dhe perimetrin e sigurisë për objektet si Kuvendi dhe Qeveria, dikasteri Brendshëm njofton se veprimet e policisë janë në përputhje me ligjin, që nënkupton se zyrtarët policorë incizojnë veprimet e tyre me qëllim dëshmimin e transparencës dhe veprimeve të tyre në përputhje me ligjin. Masat e sigurisë do të shtohen të mërkurën, kur në Kuvend pritet ratifikimi i marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë. Jo zyrtarisht, forcat e rendit kanë plane rezerve të cilat në rast zbatimi do të pamundësojnë që protestuesit t’i ofrohen Kuvendit./Alsat M